AKTUALITET, 16 Mars 2023, 21:09

A ka lidhje lirimi i Safet Bajrit me zgjedhjet lokale? Çfarë thonë Lala dhe Hoxha

A ka lidhje lirimi i Safet Bajrit me zgjedhjet lokale? Çfarë

Safet Bajri, një eksponent i njohur i botës së krimit, është liruar nga burgu para kohe, duke përfituar nga ulja e dënimit. Lirimi i Bajrit shkaktoi mjaft bujë, për shkak të së shkuarës së tij kriminale në Belgjikë.

Artan Hoxha dhe Klodiana Lala, të ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, kanë folur për lirimin e Bajrit, lidhjet e tij me politikën dhe ndikimin potencial në zgjedhjet lokale.

Sipas Klodiana Lalës fisi Bajri ka lidhje me mazhorancën socialiste, ndërsa gazetari Hoxha deklaroi se Safet Bajri ka mbështetur Partinë Demokratike në të shkuarën. 

Pjesë nga biseda:

Ylli Rakipi: A mendoni se ka lidhje lirimi i Safet Bajrit me zgjedhjet lokale? Për çfarë mund t’i shërbejë ai mazhorancës në këto zgjedhje?

Klodiana Lala: Për blerjen e votave. Ka dyshime serioze. Bajrat historikisht kanë punuar për të majtën. Ky është fakt i njohur. Ka patur përplasje të botës së krimit atje, institucionet, duke qenë se Safet Bajri është me rekorde kriminale, mund ta mbajnë nën vëzhgim, sepse çdo personazh i këtij kalibri do të dalë nesër dhe nuk do të pijë puro në Shkodër, por do të mbledhë vota, në mos e ka nisur që tani. Ndikimi në rezultatin zgjedhor, duhet të na shqetësojë. Kundërshtarët e Bajrave janë Liçët, Mustafa Liçi është kryetar i një partie politike. I biri është në kërkim ndërkombëtar, me dyshime për vrasje. Ata kanë qenë e njëjta familje, por me vrasjen e Fatbardh Liçit, filloi përplasje dhe revanshi mes tyre. Por, ajo që më shqetëson, është që nuk mund ta kalojmë me lehtësi faktin që njerëz të botës së krimit do të dalin nesër ne fushatë, do të blejnë vota, do të shantazhojnë njerëz.

Artan Hoxha: Mes gjithë Bajrave që kanë qenë majtas, ky ka qenë djathtas (Safet Bajri). Në 2015, 2017, madje nëse nuk do të arrestohej, po mbështeste një kandidate të djathtë që sipas tyre duhet të ishte kandidate për qytetin.
Ai nuk ka tradhtuar, nuk ka ideal por miqësi. Ai ka mbështetur në atë krah. Fisi ka mbështetur majtas, ndërsa ky ka mbështetur djathtas. Do ta shohim cili do të jetë reagimi në Shkodër. Personazhe të tillë, gjatë dy viteve të fundit kanë vënë mend, nuk dalin më aq haptazi në fushata. Ky ka qenë i ndaluar në burg, në qeli me ish ministrin e Brendshëm. Ka qenë me Balilin. Ka qenë edhe në burgun e Fierit edhe të Lushnjës. Madje prisja të dilnin ata më përpara, por me sa duket ky bëri 2/3 dhe përfitoi lirimin me kusht. Ai nëse del nga territori i Shqipërisë mund të arrestohet për dënimin belg.

Enton Abilekaj: Nuk e di a i ka bërë Bajri 2/3, sepse atij i bie 4 vjet. Një nga lidhjet e tij me Partinë Socialiste, ka qenë Luan Harusha, që ka deklaruar se e ka shumë mik. Shteti belg po informon qeverinë shqiptare, që ai ka disa dënime. I është kërkuar të sillen dokumentet. Atje ka disa dënime. Qeveria shqiptare ka thënë sillni dosjet. Belgët kanë sjellë dënimin e parë. Dan Hutra u lirua para zgjedhjeve. Akuza që bëri zoti Berisha, ishte që e nxorri kryetari i Bashkisë se Kamzës sepse i duhej për zgjedhjet. Dalja e të fortëve, kriminelëve, të dënuarve para zgjedhjeve, është dukuri e çdo procesi zgjedhor.