AKTUALITET, 16 Mars 2023, 21:39

"Shqipëria po kthehet në Dubain e Evropës, parajsë e krimit!"/ Sejamini: Po vazhduam kështu, do të jemi shkretëtirë për rininë!

"Shqipëria po kthehet në Dubain e Evropës, parajsë e

Analisti Neritan Sejamini mendon se Shqipëria po kthehet në "Dubain e Evropës", sa i përket favorizimit të personave me rekorde kriminale, aktivitetin kriminal dhe pastrimin e parave. 

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Sejamini tha se Shqipëria është kthyer në parajsë për krimin dhe se ekonomia shqiptare bazohet mbi aktivitetin kriminal. 

"Krimi po bëhet një faktor gjithnjë e më i rëndësishëm ekonomik në Shqipëri. Këta që ndihmojnë në zgjedhje, ndihmojnë për të marrë favore ekonomike. Një nga fushat kryesore të aktivitetit të krimit, ka punët publike ose aktivitete ekonomike që bëhen me leje të qeverisë. 

Nga pikëpamja ekonomike, është e pamundur që të ndërtohen kullat që po ndërtohen në Tiranë, me burime të ligjshme ekonomike. Nuk bën asnjë sens ekonomik. Tani po fillon një kullë e re gjigande. 

Një Shqipëri pa ekonomi dhe popullësi, një vend ku nuk ka kompani të huaja dhe shqiptare, ku nuk ka biznes, nuk ka banka, kompani sigurimi, zyra qëndrore të kompanive rajonale apo botërore, ndërtohet më shumë se çdo vend tjetër në Ballkan. I gjithë ky aktivitet ndërtimi nuk është aktivitet që financohet nga burime të ligjshme, nga biznesmenë që marrin kredi. Është aktivitet që financohet nga krimi, edhe blerësit janë të botës së krimit. Sot në Tiranë blihet me 5 mijë euro metri katror. Është e pamundur për çdo shqiptar, me përjashtim të biznesmenëve të mëdhenj të blejnë apartamente me 5 mijë euro.

Krimi gjithnjë e më shumë po bëhet faktor politik. Edhe biznesmenët prandaj i kapin politikanët sepse duan favore. Tani edhe krimi po kap politikën. Ata mund të financojnë dhe ndihmojnë në zgjedhje.

Kam frikë se Shqipëria po kthehet në një Dubai në mes të Europës, në kuptimin e krimit. Nuk mundet dot, që Belgjika të kërkojë një të dënuar për vepra të rënda, që ka dhunuar gra shqiptare si sadist dhe ne nuk ja çojmë.

Ne duam të futem në Evropë? Ne ankohemi për hollandezët dhe anglezët? Ne jemi kthyer në qendër të mbrojtjes së kriminelëve. Një nga problemet kryesore është që shqiptarët bëjnë krime andej dhe vijnë në Shqipëri dhe dalin per 2-3 vjet.

Ky rasti i Ramadan Hutrës, një njeri që bën një krim të rëndë dhe e përsërit krimin e rëndë, herën e dytë merr një dënim shumë më të rëndë. Pra ka rrethana rënduese.

Ke një person të dë dënuar me 24 vjet dhe ka bërë 16 vjet se ka vrarë gruan, ka përdhunuar dikë. Ky akuzohet prapë për krim familjar dhe gjykata thotë ka rrethana lehtësues…? Si mund të ketë rrethana lehtësuese për një kriminel?

Parajsë për krimin po bëhet Shqipëria. Po vazhdoi kjo do të jetë shkretëtirë për rininë, moçal për mjekët dhe inxhinierët dhe parajsë për kriminelët. Dubai i Evropës nga pikëpamja e mbrojtjes së kriminelëve", deklaroi Sejamini.