AKTUALITET, 21 Shtator 2022, 17:14

Tenderi i uniformave të policisë, Apeli lë në fuqi vendimin e GJKKO për ish-drejtoreshën dhe zyrtarët e tjerë të Ministrisë së Brendshme

Tenderi i uniformave të policisë, Apeli lë në fuqi vendimin

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin në lidhje me nëntë personat e akuzuar për tenderin 28 milionë euro të uniformave të Policisë së Shtetit.

Mes të akuzuarve është edhe ish drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari, për të cilën më herët GJKKO i caktoi masën e sigurisë arrest me burg.

Zyrtarët e ministrisë së Brendshme janë dënuar për shkeljen e barazisë në tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Nertina Kosova (anëtare), sot më datë 21.09.2022 shpalli vendimin  lidhur me çështjen nr. 37, datë 30.03.2022 regjistrimi, me objekt “ankim ndaj vendimit nr. 93, datë 30.12.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, në ngarkim të të pandehurve E.N., F.Ç., A.B., A.O., A.M., K.H., K.B., F.D., M.B., të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të K.Penal, dhe vendosi:– Lënien në fuqi të vendimit nr. 93, datë 30.12.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me ndryshimin vetëm sa i përket kohës së provës në këtë mënyrë:

– Të pandehurit A.B., A.O., G.M., vihen në provë për një periudhë kohe të barabartë me dyfishin e pjesës së mbetur pavuajtur të dënimit me burgim”.

9 zyrtarët e Ministrisë së Brendshme u arrestuan me urdhër të SPAK si të përfshirë në tenderin me vlerë 2.8 miliardë lekë për uniformat e policisë.

Gjatë hetimit, sipas Prokurorisë së Posaçme, janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik, bërë nga anëtarë të Njësisë së Prokurimit si Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleviz Hasani dhe anëtarët e komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Femneri, Mariglen Buzali, Gëzim Mingaj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me titullarin e Organit Qendror Blerës, dhe si pasojë kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedurë prokurimi.

Edlira Naqellari, mbante detyrën e drejtoreshës së blerjeve të përqendruara në Ministrinë e Brendshme.