TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho tha sot se Autoriteti i Dosjeve po përdoret nga maxhoranca për të goditur kundërshtarët politikë.
Duke folur në Komisionin e Ligjeve, ajo tha se sot duhet të kishte një propozim për shkarkimin e Autoriteteve të Dosjeve.
Debati:
Xhixho: Unë prisja sot një iniciativë për shkarkimin e anëtarëve të Autoritetit të Dosjeve. Janë anëtarë që po përdoren politikisht dhe me metoda si ai i Sigurimit të Shtetit. Ky Parlament nëse do ishte i sinqertë, do të diskutonte sot për ato propozime që kanë nga 7 muaj të depozituar këtu, si çmimi i naftës apo të drejtën e tubimit.
Sot diskutojmë për një akt që na është vënë në tryezë për turpin e maxhorancës. Jemi përpara një alibie për të gjitha veprimet skandaloze, shantazhuese të Autoritetit të Dosjeve.
Bushka: Flisni për pyetje, jo për diskutime dhe analiza.
Xhixho: Këtu ka kolegë që bëjnë diskutime nga 10 minuta dhe nuk u thuhet asgjë.
Bushka: Nuk është e vërtetë.
Xhixho: Që të jemi konkretë se po flasim parimisht, Autoriteti i Dosjeve është kthyer në kuazi gjykatë, në letrën drejtuar Kuvendit thotë se si ka hetuar dhe ka marrë 7 vendime në një ditë dhe është vënë në lëvizje nga një email anonim dhe brenda 24 orëve ka marrë vendim e ka çuar me shpejtësi letër për Ilir Metën, kryetar i Partisë së Lirisë.
Ky Autoritet nuk ka denjuar as të bëjë gjëra elementare, të marrë gjeneralitetet e personit, emër, atësi, mbiemër. Vetëm e vetëm që të goditet kundërshtari politik dhe Autoriteti të kthehet në vegël të maxhorancës. Në dosjen që pretendon Autoriteti i Dosjeve, emri Ilir Rexhep Metaj, nuk është në asnjë vend. Shtetasi F.T thotë shumë qartë pretendimet e tij dhe nuk shprehet në asnjë moment Ilir Rexhep Metaj.
Ka një kallëzim në SPAK me 7 vepra penale të kryera nga Autoriteti i Dosjeve për këtë çështje. Nëse flasim për qëndrimin e forcës sonë politike, kemi votuar pro ligjit me modelin gjerman, por ky ligj që diskutojmë sot, që është një alibi e qartë e kësaj maxhorance për të përdorur si mashë autoritetin e dosjeve për kundërshtarët politikë, është e papranueshme.
E gjithë kjo iniciativë anti kushtetuese, mënyra si po vihet në lëvizje Parlamenti në mënyrë anti ligjore, është e papranueshme. Drejtësia duhet të zbardhë sa më shpejtë këtë çështje dhe kjo duhet të ketë edhe një refuzim edhe nga opinioni publik.
Bushka: Kemi marrë 2 nisma. Ne nuk jemi këtu organi që shqyrton nëse është vepruar mirë apo keq nga një institucion. Kush ka pretendime ti drejtohet organeve përkatëse. Komisioni i ligjeve po i shërben një interesi publik.