AKTUALITET, 5 Korrik 2022, 18:09

Shofer autobusi 70 vjeç, socialistët propozojnë ndryshime në Kodin Rrugor

Shofer autobusi 70 vjeç, socialistët propozojnë ndryshime

Mund të kesh dalë në pension, por mund të drejtosh autobusë, kamionë apo çdo mjet tjetër për transport njerëzish apo mallrash. 70-vjeçarët mund të pajisen me leje drejtimi për këto mjete. Patenta për drejtuesit deri në këtë moshë mund të  jetë e vlefshme për 15 vjet.

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka propozuar ndryshime në Kodin Rrugor. Në dokumentin që i është dërguar Kuvendit kërkohet  rritja me pesë vjet e kufirit të moshës  për të drejtuar mjete të transportit.

Aktualisht  shoferi i një autobusi, kamioni apo çdo mjeti tjetër për transport të njerëzve apo mallrave   sipas Kodit Rrugor  duhet te jetë 65 vjeç. Kufiri mund të rritet çdo vit deri në të 70 –tat nëse drejtuesi dëshmon përmes raportit mjekësor se është në gjendje të mirë fizike dhe psikike.

Socialistët propozojnë shfuqizimin e kësaj pike të Kodit. Ndërkohë grupi parlamentar i Partisë Socialiste kërkon të shtojë kufizimet për drejtuesit e rinj.

Tre vite nga data e marrjes së lejes së drejtimit të kategorisë A, A2, B, B1 sipas propozimit të socialistëve  një shofer nuk lejohet të kalojë shpejtësinë prej 80 km/orë në autostradë  dhe 70 km/orë në  rrugët interurbane kryesore.

Për shqiptarët mbi 70 vjeç leja e drejtimit për vetura  do të  jetë e vlefshme pas dorëzimit të certifikatës së mjekut që vërteton  se janë të aftë fizikisht dhe mendërisht për të drejtuar automjetin.