AKTUALITET, 5 Korrik 2022, 17:49

Erion Veliaj: Për çfarë do të protestojë Saliu në 7 korrik? Që të ikë Luli dhe të vijë Meta?

Erion Veliaj: Për çfarë do të protestojë Saliu

Erion Veliaj gjatë një takimi në njësinë 7 në Tiranë, ka folur edhe për protestën e opozitës e cila, do të mbahet me 7 Korrik.

Veliaj tha se kundërshtarët e Partisë Socialiste kanë filozofi të tyre përçarjen dhe se në protestën e paralajmëruar prej tyre, as ata vetë nuk e dinë se për çfarë do protestojnë.

“Nuk e kuptoj për çfarë protestojnë këta sepse as tërmetin, as pandeminë, as krizën energjetike nuk e shkaktoi qeveria jonë. E kuptoj kur dikush proteston për ngjarjet e 21 janarit, ku u vranë njerëzit në Bulevard. E kuptoj kur dikush proteston për Gërdecin se aty u hodhën njerëz në erë. Por, të protestosh për gjëra që nuk i ka në dorë qeveria, përkundrazi qeverisë i ka rënë barra t’i zgjidhë, edhe pse shkaktohen tjetërkund, kjo është çudia e tyre. Por, këta edhe kur organizohen në betejë kundër nesh thonë, do t’i rrëzojmë këta socialistët, por Luli dhe shpura e tij të mos vijnë. Njëri thotë të vijë Ilir Meta, tjetri thotë të mos vijë Ilir Meta. Pra, filozofia e tyre është ndarja. Këta mendojnë se bëhen më të fortë duke u përçarë. Ne kemi filozofi krejt tjetër, mendojmë se bëhemi më të fortë duke u shtuar, si një familje”, tha Veliaj.

Mandej, kryebashkiaku shtoi se teksa kundërshtarët luftojnë me njëri-tjetrin, Partia Socialiste lufton për të qenë sa më e përkushtuar ndaj të gjithëve.
“Unë e di se çfarë do ndodhë në 7 korrik! Atyre të Lulit do t’u thonë ikni. Kurse, partia jonë është krejt tjetër. Në partinë tonë nuk digjet selia kur ka zgjedhje, njerëzit nuk rrihen me njëri-tjetrin, as nuk vijnë me vare dhe shkopa bejsbolli të rrihen më kundërshtarët. Beteja e PS është për njerëzit, sit ë qeverisë më mirë “, shtoi Veliaj.