AKTUALITET, 5 Korrik 2022, 16:27

Presidenti Meta pritet në takim nga homologu slloven: Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor meritojnë të anëtarësohen sa më parë në BE

Presidenti Meta pritet në takim nga homologu slloven: Shqipëria dhe

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, u prit sot në një takim homologu slloven Borut Pahor.

Meta vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Pahor dhe Sllovenia i kanë dhënë Shqipërisë në kuadrin e procesit të integrimit europian.

Duke e konsideruar Slloveninë një partnere të rëndësishme rajonale të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, Presidenti Meta u shpreh: “Ju faleminderit shumë Zoti President! Ishte një kënaqësi e madhe për mua që të isha sot në Ljubljanë, i mikpritur nga Presidenti i Sllovenisë, miku im shumë i mirë, Barut Pahor në këtë takim lamtumire përpara përmbylljes së mandatit tim si President i Shqipërisë në fund të këtij muaji!

Dëshiroja ta falënderoj Presidentin Pahor për mbështetjen e tij të madhe, si dhe të Sllovenisë po ashtu, ndaj hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për përpjekjet e tij e të Sllovenisë për të zgjeruar integrimin e Ballkanit Perëndimor!

Ne ramë dakord plotësisht se duhet të vazhdojmë të bëjmë më të mirën. Të vazhdojmë me kryerjen e reformave tona të brendshme, të tregojmë më tepër rezultate, të japim më shumë. Shprehëm gjithashtu bindjen se edhe Bashkimi Europian do ta kuptojë më mirë rëndësinë gjeo-politike të Ballkanit Perëndimor për BE-në dhe Europën, në veçanti në ditët e sotme.

Kjo është arsyeja përse zgjerimi duhet të vazhdojë. Kjo është arsyeja përse kjo duhet të konkretizohet. Kjo është arsyeja përse Presidenti Pahor dhe Sllovenia përkrahin fort hapjen e negociatave të antarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhënien e statusit të vendit kandidat Bosnjës dhe Hercegovinës, liberalizimin e regjimit të vizave për Kosovën.

Po ashtu, kjo është arsyeja përse ne e vlerësuam vendimin e fundit të BE-së për t’i dhënë statusin e vendit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë, sepse është thelbësore që t’i tregohet mbarë botës dhe në veçanti të gjitha vendeve të kontinentit tonë se zgjerimi po vazhdon, se zgjerimi po përparon dhe se këto reforma që po ndërmarrim me qëllim përafrimin ndaj Bashkimit Europian, do të vazhdojnë të luajnë rolin e forcës shtytëse për shoqëritë tona, të cilat jo vetëm do të ndihmojnë vendet tona që të përmirësojnë standardet e demokracisë, sundimit të shtetit të së drejtës, të ekonomisë si dhe standardet shoqërore, por që gjithashtu të përforcojnë qëndrueshmërinë dhe paqen në rajonin tonë dhe në kontinentin tonë.

Mbështetemi shumë te Sllovenia edhe në të ardhmen dhe shpresoj e uroj që Samiti i ardhshëm i Brdo-Brijunit që do të mbahet këtu, do t’i japë një shtysë të re zgjerimit të Bashkimit Europian dhe aspiratave të vendeve tona për një të ardhme europiane!”