AKTUALITET, 5 Korrik 2022, 17:44

Në 6 muaj çohen në prokurori 188 efektivë, 23 arrestohen

Në 6 muaj çohen në prokurori 188 efektivë, 23 arrestohen

Muaji qershor ka numrin më të lartë të efektivëve të policisë të hetuar. Janë dërguar në prokurori 50 punonjës policie, ku 6 prej tyre janë arrestuar me vendime gjykate. Kryesisht, ata dyshohen për shpërdorim detyre dhe korrupsion, por edhe për vepra të tjera penale, si mosveprim, apo veprime arbitrare.

Rasti më i fundit ishte masa arrest shtëpie e dhënë për dy ish nëndrejtorët e Policisë së Elbasanit, Albert Nushin dhe Nikollaq Palla, për deklarim të rremë e shpërdorim detyre, se nuk nuk reaguan në kohë për të parandaluar vrasjen e Pjerin Xhuvanit, 4 ditë para zgjedhjeve të 25 Prillit. Ndërsa 6 efektivë të tjerë u pezulluan nga detyra.

Në raportin e APM-së, citohet se gjithsej në muajin që lamë pas, kjo Agjenci ka trajtuar 220 ankesa. Numrin më të lartë të tyre e mbajnë ankesat për shkeljet që kanë kryer efektivët e Rendit dhe Sigurisë Publike. Janë trajtuar për këtë kategori 90 ankesa. Lista e ankesave pasohet nga Policia Rrugore, ku janë trajtuar 83 ankesa. 36 ankesa të tjera janë trajtuar për efektivët e Hetimit të Krimit dhe për pak për sektorët e tjerë.