AKTUALITET, 7 Qershor 2026, 14:05

“Pse po rritet protesta?”, analisti Lutfi Dervishi: Shpjegimi nuk duhet kërkuar te teoritë e konspiracionit, por te realiteti!

“Pse po rritet protesta?”, analisti Lutfi Dervishi: Shpjegimi nuk

Analisti Lutfi Dervishi ka komentuar protestat që po zhvillohen prej tetë ditësh, duke argumentuar se fokusi i debatit publik është zhvendosur gabimisht tek pyetja se kush i organizon ato, ndërsa po anashkalohet arsyeja pse qytetarët po dalin në shesh.

Sipas Dervishit, analistë, politikanë dhe komentues në rrjetet sociale po kërkojnë organizatorë të fshehtë dhe po ndërtojnë teori mbi ndikime të jashtme apo grupe interesi, ndërkohë që përgjigjja e vërtetë gjendet tek vetë protestuesit dhe shqetësimet e tyre. Ai vëren se në protestë marrin pjesë kategori të ndryshme qytetarësh, nga të rinj e familjarë deri te artistë, intelektualë, sipërmarrës dhe pensionistë, ndërsa thekson se tubimi jo vetëm që nuk është zbehur me kalimin e ditëve, por ka fituar më shumë mbështetje dhe energji.

Dervishi argumenton se ngjarjet në Zvërnec mund të kenë qenë shkëndija e revoltës, por jo arsyeja e vetme e saj. Sipas tij, protesta po ushqehet nga pakënaqësi të akumuluara prej vitesh, që lidhen me shërbimet publike, përfaqësimin politik, kostot në rritje të jetesës dhe vështirësitë ekonomike me të cilat përballen qytetarët.

Në analizën e tij, ai ndalet edhe te reagimi i diasporës shqiptare, e cila ka organizuar tubime mbështetëse në vende të ndryshme të Europës dhe në Shtetet e Bashkuara. Sipas Dervishit, ky solidaritet tregon se protesta ka prekur shqetësime më të thella sesa një çështje e vetme lokale.

REAGIMI

Pse po rritet protesta?
Protesta ka hyrë në ditën e saj të tetë, por ka plot njerëz që po i mundon e njëjta pyetje: kush qëndron pas saj?
Analistë, politikanë dhe komentues në rrjetet sociale po garojnë ethshëm për të gjetur organizatorët. Në listën e dyshimeve gjen nga “armiqtë e jashtëm” tradicionalë (grekët, serbët, iranianët) e deri tek formula e gatshme e “tradhtarëve vendas” që nuk ia duan të mirën Shqipërisë.
Ndërsa vëmendja është përqendruar e gjitha tek prapaskena, po lihet në hije pyetja thelbësore: kush ka dalë në shesh dhe pse?
Pamja e bulebardit është e pazakontë. Aty sheh të rinj, familjarë me fëmijë, artistë, intelektualë, sipërmarrës, pensionistë dhe qytetarë pa asnjë petk partiak. Kjo protestë nuk po tkurret me kalimin e ditëve; përkundrazi, po rritet. Ka më shumë pjesëmarrës, më shumë energji dhe një kreativitet që nuk është parë prej kohësh. Nuk është rastësi që shumë prej tyre e kanë pagëzuar si “protesta e bukur”.
Në sipërfaqe, shkaku është i qartë: ngjarjet në Zvërnec, rrethimi me tela me gjemba, dhuna ndaj qytetarëve dhe ndjesia e frikshme e përballjes me një “shtet brenda shtetit”. Por nuk mund të lidhet gjithë pylli me një litar. Një revoltë mund të nisë nga një incident i vetëm, por vështirë se zgjerohet dhe mbijeton për tetë ditë me radhë vetëm prej tij.
Në shesh ka shpërthyer një masë kritike pakënaqësish të grumbulluara ndër vite. Janë qytetarët që përplasen çdo ditë me dështimet në shëndetësi, arsim, administratë dhe me banalitetin e debatit politik/publik. Janë njerëzit që ndihen të papërfaqësuar dhe që ndiejnë fyerje inteligjence kur shohin se kush flet e vendos për ta në Kuvend, qeveri apo media.
Kësaj i shtohet edhe dimensioni ekonomik që nuk mund të injorohet: rritja stratosferike e kostos së jetesës, pamundësia për të siguruar një shtëpi dhe ndjesia se hapësirat për të ndërtuar të ardhmen këtu po mbyllen. Zvërneci ishte thjesht shkëndija; lënda djegëse ishte aty, e tharë prej kohësh.
Një tregues interesant është se vala e revoltës i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Tubimet solidare në qytetet europiane dhe deri në Shtetet e Bashkuara nuk shpjegohen thjesht me nostalgjinë apo lidhjen emocionale të emigrantëve me atdheun. Shumë prej tyre u larguan pikërisht nga këto plagë që sot po denoncohen në shesh. Për diasporën, ky reagim është një lloj pakti solidariteti me ata që mbetën, dhe një refuzim i prerë ndaj një modeli qeverisës që prodhon vetëm eksod.
Jehona që dëgjohet mijëra kilometra larg tregon se kjo lëvizje ka prekur një nerv shumë më të thellë sesa Zverneci.
Prandaj, pyetja “kush e organizon protestën?” duket gjithnjë e më pak e rëndësishme. Kur një protestë jo vetëm mbijeton, por rritet dita pas dite, shpjegimi nuk gjendet tek teoritë e konspiracionit, por tek realiteti. Përgjigjja është në shesh, në sytë e njerëzve që janë lodhur duke pritur, duke u dëgjuar pa u dëgjuar dhe duke u përfaqësuar pa u përfaqësuar. Në fund të fundit, organizatori më i madh i kësaj proteste nuk duhet kërkuar as te armiqtë, as te partitë, as te grupet e interesit, as te sharlatanë protestash, por te pakënaqësia e grumbulluar prej vitesh nga litari që tërhiqet dhe zullumi që trashet.