AKTUALITET, 7 Qershor 2026, 12:55

ARRSH hap procedurën, 6 mbikalime për këmbësorët do të ndërtohen në kilometrat e parë të autostradës Tiranë-Durrës

ARRSH hap procedurën, 6 mbikalime për këmbësorët do

Gjashtë mbikalime për këmbësorët do të ndërtohen përgjatë kilometrave të parë të autostradës Tiranë-Durrës. Pas përfundimit të punimeve për zgjerimin e aksit rrugor, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur procedurat për realizimin e elementëve të tjerë të projektit, të fokusuar në përmirësimin e aksesit për banorët e zonës.

Ndërtimi i këtyre mbikalimeve do t’u mundësojë banorëve që jetojnë përgjatë autostradës të lëvizin më lehtë dhe në mënyrë më të sigurt, përmes pikave të dedikuara të kalimit.

Procedura e tenderimit pritet të mbyllet më 15 qershor. Pas shpalljes së fituesit, punimet do të nisin menjëherë. Përveç ndërtimit të 6 mbikalimeve, projekti parashikon edhe instalimin e sistemit të ndriçimit, gjelbërimin e zonave përkatëse, vendosjen e barrierave akustike, si dhe ndërhyrje të tjera plotësuese. 

Gjatë një inspektimi të punimeve për zgjerimin e autostradës Tiranë–Durrës, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, theksoi se garantimi i aksesit për banorët që jetojnë përgjatë këtij aksi rrugor është një nga komponentët kryesorë të projektit, zbatimi i të cilit pritet të nisë së shpejti në terren.