AKTUALITET, 24 Dhjetor 2022, 13:31

Policia nis "shtetrrethimin" për festa: Kontrolle ndaj personave të skeduar, patrulla shtesë jashtë bankave dhe monitorim i rrugëve me radarë

Policia nis "shtetrrethimin" për festa: Kontrolle ndaj personave

Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash shtesë, për të siguruar mbarëvajtjen e festave dhe për të parandaluar ngjarjet kriminale dhe ato rrugore, duke qenë se që nga dita e djeshme, ka rritje të numrit të shtetasve që hyjnë më Shqipëri, nëpërmjet pikave të kalimit kufitar.

Masa shtesë janë marrë edhe për të parandaluar përdorimin e kundërligjshëm të lëndëve piroteknike (fishekzjarre, kapsolla etj). Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike përgjatë festave të fundvitit, natës së ndërrimit të viteve dhe ditëve të para të vitit të ri 2023, është hartuar plani i përgjithshëm i masave, nëpërmjet të cilave synohet:

Rritja e sigurisë në komunitet, në të gjithë territorin, duke shtuar prezencën e shërbimeve të Policisë.
Parandalimi i ngjarjeve kriminale, nëpërmjet kontrollit të plotë të territorit nga strukturat e Policisë, kontrolli ndaj personave me precedentë kriminalë, i automjeteve të tyre, si dhe i ambienteve që ata frekuentojnë, bazuar në inteligjencën informative.
Sigurimi në kohë i informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim për ngjarje kriminale, dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale.
Shtimi i sporteleve dhe i burimeve njerëzore, në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Në pikat tokësore, bashkëpunim i ndërsjellë me homologët, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore, shmangien e rradhëve të gjata dhe për sigurimin e lëvizjeve të njëtrajtshme, në të dyja anët e kufirit.
Rritja e kontrollit në pikat e kalimit kufitar dhe shtimi i patrullimeve në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.
Monitorimi i akseve rrugore, me makina inteligjente, radarë automatikë dhe me patrulla të lëvizshme, me mjete të pauniformuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore;
Forcimi i masave për kontrollin ndaj subjekteve që tregtojnë fishekzjarre dhe lëndë të tjera piroteknike, duke bashkëpunuar me PMNZH-në dhe me strukturat e tjera ligjzbatuese.
Rritja e prezencës së shërbimeve të Policisë, në shëtitore, pedonale, objekte kulti dhe sheshe publike, në të gjitha bashkitë e vendit, për të garantuar mbarëvajtjen e festimeve gjatë natës së Krishtlindjes dhe gjatë natës së ndërrimit të viteve.
Gjithashtu, strukturat e Policisë kanë planifikuar masa për mbajtjen në kontroll, të sigurisë dhe rendit, në restorante, lokale dhe qendra tregtare, që kanë frekuentim të lartë qytetarësh.
Në vijim, për të parandaluar ngjarjet kriminale, janë organizuar shërbime policore shtesë, në banka, zyra të këmbimit valutor, tregje dhe objekte të tjera, ku administrohen vlera monetare dhe materiale.
Strukturat e Policisë po bashkëpunojnë edhe me shërbimet private të sigurisë fizike (SHPSF), për përforcimin e shërbimeve të sigurisë së objekteve, si dhe gjatë shoqërimit dhe transportimit të vlerave monetare.
Ndërkohë shërbimet e lëvizshme operacionale (FLO) të Policisë së Shtetit, janë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment, në rast së është e nevojshme.
Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të krijuar një ambient sa më të sigurtë për të gjithë qytetarët, dhe në këtë kuadër i fton ata që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast paligjshmërie.