AKTUALITET, 24 Dhjetor 2022, 12:15

Kërcënonin me thikë e pistoletë lodër qytetarët që dilnin te Sheshi "Skënderbej", në pranga dy të rinj

Kërcënonin me thikë e pistoletë lodër qytetarët
Foto ilustruese: Sheshi "Skënderbej"

Dy djem të rinj janë vënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi kishin nisur të bëheshin shqetësim për qytetarët që dalin për t’u argëtuar në atmosferën festive të krijuar në sheshin Skënderbej.

Blutë e Komisariatit Nr. 3, në operacionin e koduar “Saga”, arrestuan në flagrancë shtetasit K. B., 20 vjeç dhe R. B., 16 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për një 14-vjeçar.

“Shërbimet e Policisë i kanë arrestuar në flagrancë këta shtetas, në sheshin “Skënderbej”, pasi duke i kërcënuar me mjete prerëse (thika) dhe me një pistoletë false, u kishin vjedhur sendet personale, 3 shtetasve, gjatë ditëve të fundit.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan një pistoletë false, 2 mjete prerëse (thika), sende me vlerë, të dyshuara të vjedhura dhe 3 aparate celulare”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.