TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kampi i pritjes se emigrantëve është gati të hape dyert për të pritur më 20 gusht kontingjentin e parë që do të vijë nga Italia. I vendosur brenda portit të Shëngjinit në një hapësirë prej 4 mijë metrash, në këtë kamp do të përpunohen të gjitha kërkesat për azil. Emigrantëve të cilëve do t’u refuzohet kjo kërkesë do të dërgohen në një tjetër kamp në Gjadër rreth 30 kilometra larg Shëngjinit.
Me më shumë se 20 godina në brendësi të tij kampi i Shëngjinit ka përfunduar të gjitha përgatitjet për pritjen e emigrantëve. Kangjellat rrethuese e veçojnë nga i gjithë porti ndërsa nga jashtë masat e sigurisë janë tepër të larta. Për mediat është e vështirë hyrja brenda qendrës së pritjes së emigrantëve pasi duhet të jepet nga autoritetet Italiane në Romë ndërsa emigrantët e parë prioritet të mbërrijnë në rrugë detare aty ku do të bëhet dhe hyrja e menjëhershme në qendër.
Shëngjini është pika e parë ku do të mbërrijnë emigrantët ndërsa qendra do të shërbejë për përpunimin e të gjitha kërkesave për azil. Nga ana tjetër lajmi për pritjen e emigrantëve ka ndarë banorët e Shëngjinit. Për disa ata janë të mirëpritur ndërsa për të tjerë Shqipëria nuk plotëson kushtet për mbajtjen e tyre.
Ish-baza ajrore e Gjadrit është pika ku qeveria shqiptare në bashkëpunim me atë Italiane do të ngrenë qendrën tjetër. E konceptuar si një zonë me siguri më të lartë këtu do të mbërrijnë të gjithë ata emigrantë të paligjshëm të cilët do të kthehen në vendet e origjinës.
Marrëveshja e nënshkruar vitin e kaluar nga Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe kryeministri shqiptar Edi Rama do të zgjasë për 5 vite ndërsa parashikon që Shqipëria të presë mijëra azilkërkues në emër të Italisë, deri në 3 mijë emigrantë të marrë nga Roja Bregdetare Italiane në ujërat ndërkombëtare çdo muaj.
Qendrat do të strehojnë vetëm burra të rritur. Njerëzit që konsiderohen të pambrojtur gra, fëmijë, të moshuar dhe ata që janë të sëmurë ose viktima të torturës do të strehohen në Itali. Familjet gjithashtu nuk do të ndahen. Ata që dërgohen në Shqipëri do të ruajnë të drejtën e tyre sipas ligjit ndërkombëtar dhe të Bashkimit Evropian për të aplikuar për azil në Itali dhe për tu trajtuar kërkesat e tyre atje. Me çdo kërkesë që kërkon rreth një muaj për tu përpunuar, numri i njerëzve të dërguar në Shqipëri mund të arrijë në 36 mijë në një vit.