TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në disa prej pikave turistike ku fluksi i vizitorëve është edhe më i lartë, janë shfaqur disa problematika që lidhen me pastrimin.
Për shkak edhe të mungesës së rrugëve tokësore aksesi në këto zona është i vështirë. Bashkitë e Himarës dhe Sarandës kanë nisur punën për pastrimin e këtyre plazheve, të cilat aksesohen përmes detit, ndërsa ekipeve të tyre u janë bashkuar edhe Forcat Detare.
Në terren për të ndjekur nga afër këtë aksion ishte e pranishme Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, të cilët u ndalën në disa prej plazheve, pjesë e bashkisë Himarë dhe Sarandë.
Për të pasur një menaxhim sa më të mirë të vijës bregdetare, dhe veçanërisht të këtyre zonave, Ministri Vëngu e vendosi theksin tek bashkëpunimi mes të gjitha autoriteteve të cilat kanë fushë të veprimit të tyre detarinë. Bashkëpunim i cili përgjatë sezonit turistik duket të jetë edhe më intensiv.
“Është absolutisht e nevojshme që roja bregdetare, sidomos në sezon, të ketë një koordinim shumë të madh me Njësinë Detare të Policisë Kufitare dhe me bashkitë të cilat duhet patjetër të mobilizohen në këto zona që mund të jenë me akses të vështirë, por duhet që patjetër të kenë një kontroll të territorit dhe në këto plazhe që janë shumë të frekuentuara”, u shpreh Pirro Vëngu.
Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku e cilësoi si të nevojshme ndërhyrjen e forcave të ushtrisë në këto momente për ti dhënë një zgjidhje të shpejt situatës, për shkak të sezonit turistik që po vijon, ndërsa me përfundimin e tij do të bëhet një analizë më e plotë për të përcaktuar masat dhe hapat që do të ndërmerren në vijim.
“Ne e konsiderojmë në këto momente të një rëndësie të veçantë ndërhyrjen e ushtrisë, qoftë nga toka, me trupat që mund të ndihmojnë bashkitë, por qoftë dhe nga deti. Ndërkohë që do të duhet, nga çfarë po kuptohet, që pas përfundimit të sezonit të bëjmë një analizë të mirëfilltë të të gjithë situatës për të nxjerrë mësime nga ky numër i shtuar sepse çdo vit nga sa kuptohet ne arrijmë që të identifikojmë të tjera pika të dobëta që dalin në sipërfaqe. Sezoni i vitit të kaluar u mbyll me sukses, u mituguan të gjitha problematikat që u vunë re gjatë atij sezoni, por këtë vit me një numër të shtuar, një numër ekspansional për Shqipërinë, të vizitorëve, sigurisht ne po zbulojmë pika të tjera të dobëta të cilat nuk kanë qenë shfaqur më parë dhe duhen mitiguar sa më shpjet, brenda këtij sezoni. Dhe ne duhet të jemi të përgatitur për sezonin tjetër”, tha Balluku.
Në bisedën me kryebashkiakun e Sarandës, Oltion Çaçi, Balluku vlerësoi bashkëpunimin mes pushtetit vendor dhe atij qëndror për ti dhënë zgjidhje situatave të cilat shfaqen në mes të sezonit, ndërsa mos reagimi në kohë mund të sjellë kosto në sektorin e turizimit. Gjithashtu, edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe operatorëve turistik është shumë i rëndësishëm sa i takon administrimit dhe mbajtjes pastër të plazheve.
“Në përfundim të sezonit, në bashkëpunim patjetër me Forcat e Armatosura, në bashkëpunim me Ministrin Mazniku të Pushtetit Vendor dhe me secilin prej jush, ne duhet të bëjmë një plan të mirëfilltë masash”, bëri të ditur Balluku.