TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Importet nga Kolumbia kanë shënuar një rritje të fortë gjatë dy viteve të fundit, ndërsa janë 60- fishuar në raport me 2015-n, kur pothuajse ishin joekzistente, sipas të dhënave nga INSTAT, të përpunuara nga Monitor.
Shifrat e INSTAT tregtojnë se në vitin 2022, importet nga Kolumbia ishin 3.9 miliardë lekë (33 milionë euro), me një rritje prej gati 8% në raport me vitin e kaluar, duke arritur në nivelin më të lartë historik të regjistruar ndonjëherë. Ndërsa në 2021-n, importet nga Kolumbia ishin rritur me 434% me bazë vjetore.
Deri në vitin 2016, tregtarët nuk duket se ishin të interesuar për tregun kolumbian. Në 2015-s, importet nga ky shtet ishin vetëm rreth 500 mijë euro.
Pas 2016-s, importet u rritën me ritme mjaft të shpejta, fillimisht me frutat dhe arrat e ngrënshme (bananet) dhe më pas me lëkurën e lëndët minerale (kryesisht qymerin e paletet). Pas 2018-n (kur në Portin e Durrësi u kap ngarkesa më e madhe me kokainë deri tani, që ishte fshehur në një kamion me banane), u shënua sërish rënie, sidomos në 2020-n, kur vendi ishte në pandemi. Ndërsa periudha 2021-2022 shënoi nivelet më të larta historike të importeve. (shiko grafikun: Importet totale nga Kolumbia).
Artan Hoxha, gazetar investigativ, tha për “Monitor” se rritja e numrit të rasteve të kapura me kokainë, që vijnë nga Kolumbia, është në proporcion të drejtë me shtimin e importeve po nga ky vend, ndonëse shumë ngarkesa nuk kapen.
“Gjatë dy viteve të fundit rastet e trafikut të kokainës me origjinë nga Kolumbia, sipas statistikave, që janë në Shqipëri, por dhe në vendet e Bashkimit Europian,- ku janë kapur sasi narkotiku, që ishin të përfshirë edhe trafikantët shqiptarë -, janë trefishuar”, pohon ai. “Në rastet që janë identifikuar kanë qenë kryesisht në ngarkesa me qymyr, siç anija e fundit që u kap”, shton Hoxha,
Statistikat e INSTAT tregojnë se kapitulli që zë peshën më të madhe të importeve nga Kolumbia është ai i “Lëndëve djegëse minerale, vajrat minerale dhe produktet e distilimit të tyre”, me 87% të totalit. Tregtia me këtë produkt nisi në vitin 2017, ndërsa më parë, importet ishin zero. Në këtë kapitull përfshihet qymyri, koksi, hidrokarburet etj. (shiko grafikun: Importet nga Kolumbia sipas kapitujve, 2005-2022).
Frutat janë grupi i dytë me importet më të larta, me 10% të totalit. Pasi ranë në 2019-2020, importet e frutave, ku peshën kryesore e zë banania, u rritën sërish ndjeshëm në 2021-2022, duke arritur në vitin 2022 në 370 milionë lekë, niveli më i lartë historik.
Hoxha thotë se zakonisht organizatat kriminale mundohen që trafikun ta bëjnë në aktivitetet, që kanë volum më të madh tregtar, pasi mundësia për ta kamufluar aty është më e madhe.
Por, si shton se ka pasur dhe raste të tjera ku ka qenë e kamufluar në importe të tjera që vijnë nga Kolumbia, si plehu organik. Të dhënat e INSTAT në fakt tregojnë se në 2022-n, për herë të parë janë importuar produkte nga kapitulli “Plehëruesit”, me vlerë 2 milionë lekë (shiko grafikun: Importet nga Kolumbia sipas kapitujve, 2022).
Një tjetër produkt, që sipas Hoxhës përdoret nga trafikantët për të kaluar kokainën, është një lëndë e parë tretësirë për ëmbëlsirë, pelte, e cila përzihet me kokainën dhe nuk e kap as skaneri. “Këto ngarkesa nuk janë kapur asnjëherë nga policia, ndonëse kryhen prej vitesh dhe pasi vjen produkti në Shqipëri nga peltja ekstraktohet kokaina”, thotë Hoxha. Shifrat e INSTAT tregojnë se importi i kapitullit “Sheqernat dhe ëmbëlsirat prej tij” ka qenë i pranishëm thuajse çdo vit, duke arritur nivelin më të lartë në 2021-n, me rreth 9 milionë lekë.
Një kapitull tjetër që arriti nivelin më të lartë të importeve në 2022 është ai i “parfumeve, kozmetikës e tualetit”, një treg që është “zbuluar” nga tregtarët tre vitet e fundit.
Në përgjithësi, produktet që po importohen nga Kolumbia vitet e fundit janë ideale për “kamuflimin” e tregtimit të narkotikëve, si lëkurët, që nisën importin nga 2015-a, qymyret e paletat (nga 2017), erëzat, apo dhe banane, që nisi rritjen e fortë nga 2016-a. /O.Liperi/Monitor