AKTUALITET, 21 Korrik 2024, 19:06

Hetuesit zbulojnë detaje nga shpërthimi i makinës në Gramsh: Ishte atentat ndaj vëllezërve

Hetuesit zbulojnë detaje nga shpërthimi i makinës në Gramsh:

Zbardhen detaje të tjera nga ngjarja e Gramshit, ku një makinë ka shpërthyer dhe si pasojë dy vëllezër, që ndodheshin në mjet, janë plagosur.

Pas ekspertizës së mjetit nga grupi hetimor, kanë arritur në përfundimin që kemi të bëjmë me një shpërthim me tritol, pra atentat ndaj dy vëllezërve Mine.

Njëri nga vëllezërit që ka qenë pasagjer në mjet, Erald Mine ka marrë dëmtime të shumta dhe është transportuar me helikopter drejt Traumës.

Vëllai tjetër, drejtuesi i mjetit ka marrë ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut. Nga forca e shpërthimit janë dëmtuar edhe dy automjete të tjera.

"Rreth orës 17:20, në lagjen “Xhile Liçi”, Gramsh, automjeti tip “Ford Focus”, që drejtohej nga shtetasi A. M., gjatë kohës që automjeti ka qenë në lëvizje, në rrethana ende të pa qarta ka shpërthyer.

Si pasojë është dëmtuar shtetasi A. M. dhe pasagjeri shtetasi E. M. (vëllezër), të cilët janë transportuar për ndihmë mjekësore në spital.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të shpërthimit të automjetit.

Pas ekzaminimeve të mekanizmit të rrethanave që kanë ndikuar në shpërthim do të ketë një njoftim të plotë"- deklaroi policia.