TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ditën e sotme ka marrë zyrtarisht nën akuzë deputetin socialist Plarent Ndreca.
Mësohet se Ndrecës i është komunikuar akuza, e cila lidhet me hetimet për tenderat e rindërtimit të komisariateve të Policisë.
Në vitin 2019, Ndreca u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme. Në atë kohë, kjo ministri zhvilloi disa tendera për rindërtimin e komisariateve të policisë në rrethe të ndryshme të vendit. Por këto tendera u veshën me dyshime të forta për korrupsion.
Çështja u soll për herë të parë në publik nga një auditim i KLSH-së, pas të cilit organi auditues bëri edhe kallëzim në SPAK. Dy ditë më parë, prokurorët e SPAK morën për më shumë se 1 orë e gjysmë në pyetje ish-ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj. Sipas raportimeve Lleshaj është thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen e tenderave nën hetim nga SPAK.
Por nëse Lleshaj është thirrur si person në dijeni, ish-Sekretari i tij i Përgjithshëm duket në pozita më të vështira në raport me hetimin e SPAK.
Plarent Ndreca ka mbajtur disa poste të rëndësishme në Qeverinë Rama para se të merrte postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme. Ai ka mbajtur dhe postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, si dhe Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit.
Gjatë kohës që ka qenë në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, Plarent Ndreca është akuzuar nga opozita edhe në lidhje me tenderin abuziv 28 milionë euro të uniformave të Policisë së Shtetit. Në atë kohë SPAK mori të pandehur vetëm 10 zyrtarë të thjeshtë të Ministrisë së Brendshme dhe hetimet nuk u shtrinë as tek Plarent Ndreca dhe as tek ish-shefi i tij, Sandër Lleshaj. Ndreca mori mandatin e deputetit në Janar të këtij viti, pas vendit të lënë bosh nga ish-zv. kryeministri në arrati, Arben Ahmetaj. Mandati i Ahmetajt i takonte Dallëndyshe Bicit sipas votës preferenciale të zgjedhjeve të vitit 2021, por ajo e refuzoi.