AKTUALITET, 29 Maj 2023, 21:29

Enton Abilekaj: Rikthimi i Bashës, si ato propozimet e pakërkuara që vijnë te Rilindja për ndonjë tender

Enton Abilekaj: Rikthimi i Bashës, si ato propozimet e pakërkuara

Analisti Enton Abilekaj e krahasoi rikthimin e Lulzim Bashës në PD me propozimet e pakërkuara që i vijnë qeverisë për koncesione.

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Abilekaj tha se asnjë nga grupet në PD nuk ka kërkuar rikthimin Bashës, ndërkohë që ai nuk ka asnjë të kaluar fituese për t’u rikthyer si kryetar i partisë. 

“Rikthimi i Bashës është i pakërkuar, si ato propozimet që vinin te zyrat e Rilindjes për ndonjë tender, propozimet e pakërkuara, sepse në të dyja palët ne nuk kemi asnjë kërkesë që të vijë Lulzim Basha.

Z. Xhaferaj ka qenë një prej atyre që i ka karkuar Berishës pas 6 marsit që të bëjë një hap prapa, Alibeaj donte që Basha të bënte një hap prapa, por të hynte në një proces zgjedhor, pas zgjedhjeve lokale, Gazment Bardhi po ashtu. Asnjëri nuk kërkon rikthimin e tij.

Për çfarë po kthehet Lulzim Basha, kush po e kërkon? Nuk ka asnjë, përveç interesit të vet për të vazhduar karrierën politike, aty ku e la, për interesa krejt personale.

Do të kthehet, po kush? Nëse do të kthehej një fitues që e la në mes detyrën dhe po rikthehet se PD-ja humbi keq, atëherë mund të kishte nostalgji dhe hajde të marrim fituesin. Ky s’ka asnjë të kaluar fituese, është humbës profesionist.

E dyta, çfarë do të bëjë që do të rikthehet? Do të marrë një pjesë të PD-së, që nuk e dimë se sa do jetë, do ta drejtojë, do ta çojë në zgjedhje, me një rezultat gjysëmopozitar për t’i prishur punë gjysmës tjetër dhe Rama ta ketë edhe më të lehtë fitoren. Ky e shkatërron opozitën edhe më keq. Nëse e ka menduar këtë rikthim për t’i dhuruar një fitore tjetër Ramës, kjo është një shenjë shumë e keqe për PD-në.

Dhe e treta, nëse do të kemi rikthim të debateve brenda PD-së, tregon se dikush e sheh si biznes personal opozicionin në Shqipëri dhe do ta marrë pavarësisht se çfarë mendojnë njerëzit dhe nëse rikthehen këto debate, duhet themeluar opozitë e re”-tha Abilekaj.