AKTUALITET, 29 Maj 2023, 19:15

“PE evidentoi pabarazi në zgjedhje”, Meta: Rama bëri gjithçka për të goditur opozitën

“PE evidentoi pabarazi në zgjedhje”, Meta: Rama bëri

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta akuzoi kryeministrin Edi Rama se ky i fundit bëri gjithçka që të godiste opozitën në zgjedhjet e 14 majit.

Gjatë një takimi me Këshilltarët e Partisë së Lirisë të zgjedhur nga gara për ‘Lokalet’, Meta përmendi dhe raportin e Parlamentit Europian.  

“Jam këtu për të theksuar rëndësinë e angazhimit tuaj si përfaqësues të PL dhe opozitës në bashkëpunim me këshilltarët e tjerë opozitarë për të bërë një ndryshim të fortë siç e kemi premtuar para 14 majit sa i takon pushtetit vendor. Më në fund pas 4 vitesh kontrollit dhe korrupsionin absolut të pushtetit vendor i ka ardhur fundi. Besoj shumë se angazhimi juaj dhe i këshilltarëve të tjerë opozitarë do jetë investim i jashtëzakonshëm në mbrojtje të interesit publik.

Zgjedhjet e fundit reflektohen qartë edhe në komisionin e jashtëm të PE që sapo miratoi raportin për vendin tonë ku u theksua problemi i partive që të paraqiten në zgjedhje pa ndërhyrjen e shtetit. E qartë që kemi të bëjmë me një njohje të pabarazisë në zgjedhje e gjithçkaje që bëri qeveria për të goditur opozitën e për të vendosur diktatin e saj mbi lirinë e votuesve për të zgjedhur. PE shprehu shqetësimin në ngushtimin e hapësirës mbikëqyrëse të opozitës. Referimi është për rrëzimin e kërkimit të opozitës për komision mbi rolin e Ramës në rastin McGonigal.", tha Meta.