AKTUALITET, 28 Mars 2023, 15:39

Alibeaj i paqartë në sa bashki do të garojë, fajëson Berishën: Po u kërkon demokratëve të votojnë LSI-në

Alibeaj i paqartë në sa bashki do të garojë, fajëson

14 orë pas përfundimit të afatit të regjistrimit të kandidatëve për zgjedhjet e 14 majit, Enkelejd Alibeaj nuk ishte i qartë se sa emra do të garojnë për kryetar të bashkive.

Shkak sipas tij është se shumë degë listat i dorëzojnë në KZAZ në rastet kur ndarja territoriale përcakton vetëm një të tillë në zonë.

"Janë rreth 20 të depozituar. Vazhdojnë në KQZ dhe KZAZ."

Duke shtuar se ka shtrirë dorën disa herë për daljen me një emër të përbashkët, shigjetoi Berishën për koalicionin me Metën.

 "Dora ka qenë e shtrirë deri në momentet e fundit. Vazhdojnë me lojërat dhe pazaret duke u kërkuar demokratëve që me 14 maj të votojnë për listën e LSI-së".

Megjithatë ai shprehet se pas rezultatit të votimeve vendore do të shihen përgjegjësitë, teksa pranoi se dy kandidatë janë tërhequr nga gara duke përmendur Lezhën dhe Kurbinin.

Edhe në Korçë si kandidatët për këshilla bashkiakë edhe ai për bashkinë po ashtu kanë anuluar pjesëmarrjen në garë.

"Në Kurbin dhe Lezhë janë tërhequr nga gara, mbase edhe sipas udhëzimeve të Kryesisë."

Në konferencë kryetari i komanduar i PD-së u shpreh se selia blu është në krizën më të madhe, teksa akuzoi edhe Ramën për zvarritjen e procesit të gjyqit për të drejtën e vulës dhe siglës.