AKTUALITET, 27 Janar 2022, 22:37

A është thirrur nga ambasada? Mediu flet për qëndrimin pas shpalljes non grata të Berishës

A është thirrur nga ambasada? Mediu flet për qëndrimin pas

Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu u pyet në “Log.” në lidhje me qëndrimin e Partisë Republikane ndaj Sali Berishës pas shpalljes së tij non grata. Ai deklaroi se ky vendim është mes SHBA dhe Berishës dhe nuk ka të bëjë me PR. Mediu mohoi të jetë thirrur në ambasadën amerikane në lidhje me këtë çështje.

“Unë kam një kundërshtar dhe ky kundërshtar është Edi Rama. Nëse ka një bashkim opozitar jam pro. Çështja është se vendimi i SHBA janë çështje e tyre dhe Berishës. Kjo nuk ka të bëjë me vendimin politik të Partisë Republikane. Nuk kam pasur asnjë diskutim me ambasadën e SHBA për këtë çështje”, tha Mediu.

Ai foli edhe për komunikimin që kanë pasur me Bashën para se të merrnin vendimin për të djegur mandatet. “Basha ka thënë kur kemi djegur mandatet që kemi një mbështetje ndërkombëtare në vendimet që do të marrim. Ne kemi ecur me besimin. Ai ishte drejtues i koalicionit. U vendos të kishim një qëndrim të përbashkët”, deklaroi ai.

Ndërsa kryetari i PBDNJ u ndal në konfliktin e brendshëm në PD duke deklaruar nuk mund ta importojnë atë brenda partive të tyre.

“Nuk mund të importojmë konfliktin e Partisë Demokratike. Ne kemi kontakte të vazhdueshme me njerëzit tanë. Për PBDNJ beteja në këto bashki është në nivel të dytë. Në nivel politik është zhgënjim i madh. Ne nuk jemi rreshtuar në koalicion për të manifestuar ekzistencën tonë. Jemi rreshtuar me një mision. Kur kemi dështuar imagjino sa e vështirë është për ata që janë në terren. Kjo situatë mund të japë edhe rezultate pozitive. Në politikë nuk përjashtoj asnjë mundësi”, tha Dule.