AKTUALITET, 29 Maj 2023, 12:44

58-vjeçari dyshohet se mori peng dhe dhunoi me sende të forta të riun. Kapet me kanabis e fishekë luftarak

58-vjeçari dyshohet se mori peng dhe dhunoi me sende të forta

Një 58-vjeçar është arrestuar në Skrapar, pasi dyshohet se ka dhunuar një të ri.

Dyshohet se pas sherrit për motive të dobëta, shtetasi me iniciale A. K., ka marrë peng për rreth dy orë një 36-vjeçar duke e kërcënuar dhe dhunuar atë me sende të forta.

Sakaq, pas arrestimit në banesë iu gjet lëndë narkotike, kanabisi dhe fishekë luftarak.

Njoftimi i policisë:

Dyshohet se i hoqi lirinë një shtetasi, e kanosi dhe e goditi atë me sende të forta, për motive të dobëta, vihet në pranga 58-vjeçari.

Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, Policia gjeti rreth 500 gramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe 550 fishekë luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një 36-vjeçari se një shtetas i kishte hequr lirinë, si dhe e kishte kanosur dhe dhunuar, kanë organizuar dhe kanë finalizuar në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Berat, operacionin policor të koduar “Mix”, si rezultat i të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. K., 58 vjeç, banues në Skrapar.

Nga veprimet hetimore të deritanishme, dyshohet se 58-vjeçari, për motive të dobëta, i ka hequr lirinë një 36-vjeçari, për rreth 2 orë, në një rrugë të pafrekuentuar, në periferi të qytetit të Çorovodës, ku dhe e ka kanosur dhe e ka goditur atë, me sende të forta.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit të arrestuar A. K., ku kanë gjetur dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, rreth 500 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa dhe 550 fishekë luftarak.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.