AKTUALITET, 24 September 2026, 13:43

“Agjentë serbë në Rogner!?” / Asociacioni i Gazetarëve dënon shantazhin e Vlora Hysenit ndaj gazetares Klodiana Lala: Të tërheqë menjëherë deklaratat e saj

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka dënuar sulmin e ish kreut të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni ndaj gazetares Klodiana Lala, teksa po hynte në ambientet e GJKKO në lidhje me hetimin ndaj saj se i ka dhënë informacione sekrete Ergys Agasit.

Teksa gazetarja Klodiana Lala i drejtohet ish kryetares së SHISH nëse i ka dhënë informacione biznesmenit të akuzuar nga SPAK si kreu i grupit kriminal që vepronte te AKSHI, Hyseni e shantazhoi duke i thënë:

“Klodi si kalon në takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner?”

AGSH e cilësoi sulmin ndaj gazetares si të papranueshëm. Asociacioni po ashtu kërkoi që Hyseni të tërheqë menjëherë deklaratat ndaj gazetares Lala, ndërsa i kërkon SPAK që ta shohë me seriozitet “këtë episod shantazhi nga ana e Hysenit ndaj një gazetareje.”

“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon me termat më të ashpër shantazhin dhe sulmet e të dyshuarës së SPAK, ish-shefes së SHISH Vlora Hyseni ndaj gazetares Klodiana Lala.

Çdo i dyshuar i drejtësisë duhet të janë llogari vetëm përpara drejtësisë ndërsa shantazhet ndaj gazetarëve nuk mund të tolerohen.

AGSH i bën thirrje Zonjës Hyseni  që të tërheqë menjëherë deklaratat e saj ndërsa e nxisim Strukturën e Posaçme që të shikojë me seriozitet këtë episod shantazhi nga ana e saj ndaj një gazetareje.”, shkruan AGSH.