AKTUALITET, 14 August 2026, 14:47

Zjarri në Lurë del jashtë kontrollit, flakët afrohen pranë banesave

Zjarri në Lurë del jashtë kontrollit, flakët afrohen

Situata nga zjarri në Lurë është përkeqësuar ndjeshëm, ndërsa flakët vijojnë të përhapen në disa drejtime dhe tashmë janë afruar pranë banesave.

Prej disa ditësh, forca të shumta po përballen me vatrat e zjarrit në zonë. Temperaturat e larta dhe tymi i dendur kanë rënduar situatën, duke shkaktuar vështirësi në frymëmarrje për banorët.

Në terren janë angazhuar ekipet zjarrfikëse, punonjës të bashkisë dhe zonave të mbrojtura, Forcat e Armatosura, si dhe banorë të zonës. Ndërhyrja po vijon edhe nga ajri me avionë, në përpjekje për të frenuar përhapjen e flakëve.

Zjarri po afrohet edhe në drejtim të Kishës së Fushë-Lurës, duke shtuar shqetësimin për banesat dhe objektet që ndodhen pranë zonës së përfshirë nga flakët.

Terreni i vështirë dhe kushtet atmosferike po e komplikojnë ndërhyrjen e forcave në terren. Pavarësisht përpjekjeve nga toka dhe ajri, zjarri vijon të mbetet aktiv, ndërsa ekipet po punojnë për izolimin dhe shuarjen e tij.