AKTUALITET, 14 August 2026, 12:19

Aksioni/ Banorët denoncuan bllokimin, IKMT liron burimin dhe kanalin e ujitjes së tokave në Mirakë të Librazhdit

Kanali i burimit ujor dhe ujitjes në fshatin Mirakë të Bashkisë së Librazhdit është tashmë në funksion të plotë të banorëve për vaditjen e tokave të tyre. Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit ju përgjigj ankesës së një grupi banorësh të Mirakës, Xibrakës dhe Polisit që denoncuan dëmtimin e këtij kanali me punime të paligjshme.

Inspektorët e IKMT-së verifikuan situatën në terren dhe konstatuan se personi me inicialet M.H. kishte vendosur tuba plastikë në kanal ndërsa kishte hedhur edhe beton duke reduktuar lëvizjen e ujit në diametrin e tubit. I gjithë punimi ishte kryer pa u pajisur me leje nga institucionet shtetërore.

Pas konstatimit të rastit, IKMT kreu të gjitha procedurat administrative dhe ndërhyri për të rikthyer kanalin në gjendjen e mëparshme, në shërbim të banorëve të këtyre tre fshatrave.