AKTUALITET, 17 September 2026, 11:49

Aksioni/ Kontrolle të befasishme në Burgun e Peqinit dhe Fierit, sekuestrohen dy celularë! Procedohen 8 persona, mes tyre edhe efektivë

Dy aparate celularë janë sekuestruar gjatë kontrolleve në IEVP Peqin dhe Fier, ndërsa një i dënuar është arrestuar në flagrancë dhe disa të burgosur e punonjës policie janë proceduar penalisht.

Kontrollet janë kryer nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

Në IEVP Peqin, gjatë kontrollit të sendeve personale të të burgosurit me inicialet F. Ç., është gjetur një aparat celular. Pas veprimeve të para procedurale, AMSEVP ka bërë arrestimin në flagrancë të tij për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale”, të parashikuar nga neni 324/a/2 i Kodit Penal.

Ndërkohë, janë proceduar në gjendje të lirë edhe katër të burgosur, me inicialet M. H., L. Gj., I. L. dhe F. A., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Për të njëjtin rast janë proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe dy punonjës policie të IEVP Peqin, me inicialet Sh. K. dhe E. J., të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Një tjetër aparat celular është gjetur gjatë kontrollit në ambientet e dhomës së të burgosurit R. K. në IEVP Fier.

Në përfundim të veprimeve procedurale, i burgosuri R. K. është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale”.

Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë edhe i burgosuri E. B., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Sipas AMSEVP, materialet procedurale do t’u dërgohen për veprime të mëtejshme Prokurorive pranë Gjykatave të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dhe Fier.