AKTUALITET, 17 September 2026, 12:00

"S'ka celular, merrni laptop"/ GJKKO nuk tërhiqet nga rregullorja censuruese, i përgjigjet avokatëve: Zbatojeni, ose ndiqni rrugët ligjore! Jo bojkot gjyqeve

GJKKO nuk e ka në plan të tërhiqet nga rregullorja e re censuruese, që prek jo vetëm mediat por edhe avokatët, të cilët kishin kërkuar rishikimin e saj. Në një përgjigje drejtuar Dhomës së Avokatisë, GJKKO iu thotë avokatëve, të cilët deri më tani kanë bojkotuar gjyqet, që të zbatojnë rregulloren ose në të kundërt të ndjekin rrugët ligjore.

Në letër GJKKO u thotë avokatëve që kontestimi i rregullores nuk duhet të shërbejë për bojkot gjyqesh. Sipas GJKKO, celulari i është ndaluar edhe prokurorëve, gazetarëve, gjyqtarëve.  

Në një përgjigje drejtuar Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, GJKKO argumenton se rregullat e reja të sigurisë janë të ligjshme, të nevojshme dhe proporcionale, duke i lidhur ato me natyrën e çështjeve që shqyrton, nga korrupsioni i nivelit të lartë te krimi i organizuar.

Gjykata kundërshton gjithashtu pretendimin se telefoni celular duhet të konsiderohet “studio e lëvizshme” e avokatit, ndërsa bën dallimin me kompjuterin portativ, përdorimi i të cilit mund të lejohet për shënime dhe konsultimin e dokumenteve gjatë seancave.