AKTUALITET, 27 Gusht 2019, 10:21

Zbulohet shuma marramendëse, ja sa do ti kushtojnë zgjedhjet Kosovës

Zbulohet shuma marramendëse, ja sa do ti kushtojnë zgjedhjet


Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka vendosur që gjashtë tetori i këtij viti do të jetë data kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme të vendit.

Këto zgjedhje pritet t’i kushtojnë kuletës shtetërore rreth gjashtë milionë euro, dy milionë më shumë sesa zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Gjashtë tetori do të jetë data kur gjithë qytetarët e Kosovës pritet t’u drejtohen kutive të votimit për t’ia dhënë legjitimitetin një qeverie të re në vend.

Kështu ka vendosur presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili të hënën menjëherë pasi dekretoi shpërndarjen e legjislaturës së VI të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e caktoi edhe datën e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Në vendimin e nënshkruar nga Thaçi thuhet se: “Duke u bazuar në përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, presidenti Thaçi ka marrë vendim që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbahen më gjashtë tetor 2019”.

Po ashtu përmes këtij vendimi i është kërkuar KQZ-së të fillojë organizimin e zgjedhjeve.

“Udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe për mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, në përputhje me këtë vendim dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në më tej në këtë vendim.

Në anën tjetër sipas parashikimeve të para, gjashtë milionë euro pritet të jetë kostoja për buxhetin e Kosovës e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në pritje të një opinioni këshillues nga Gjykata Kushtetuese, Ministria e Financave ende nuk ka bërë ndarjen e mjeteve buxhetore për KQZ-në./ Gazeta Zëri