AKTUALITET, 27 Gusht 2019, 09:57

U përpoq që të arrinte në Angli me not, gjendet i vdekur emigranti në brigjet e Belgjikës

U përpoq që të arrinte në Angli me not, gjendet i vdekur


Trupi i një emigranti nga Iraku, i cili u përpoq ta kalonte ngushticën mes Francës dhe Britanisë së Madhe përmes notit, është gjetur pa shenja jete në brigjet e Belgjikës.

Emigranti 48 vjeç u gjet afër resortit Zeebrugge, i veshur me një jelek të improvizuar me shishe plastike dhe duke mbajtur një çantë të vogël me dokumentet e identifikimit. Lajmin e bëri të ditur zyra e prokurorit të qytetit Bruges.

“Është hera e parë që kemi gjetur një trup emigranti”, tha Carl Decaluwe, guvernatori i provincës perëndimore, Flanders.

Zyrtarët dyshojnë se burri vdiq ndërkohë që ishte nisur të notonte nga një plazh në Francën veriore drejt tokës britanike. Sipas tyre rrymat e ujit e kanë dërguar trupin e tij në territorin ujor të Belgjikës.

Sipas një agjencie belge të lajmeve, ai ishte përpjekur të shkonte në Britani përmes notit pasi i ishte refuzuar kërkesa për azil në Gjermani.