AKTUALITET, 11 September 2026, 22:41

Zbulimi arkeologjik në Bulqizë finalist për çmimin ndërkombëtar “Palmyra”

Kërkimet arkeologjike të zhvilluara në Strikçan të Bulqizës, ku u zbulua një varr monumental i llojit mauzoleum, janë përzgjedhur si finaliste për Çmimin Ndërkombëtar të Zbulimit Arkeologjik “Palmyra”.

Zbulimi është nominuar gjithashtu për “Çmimin Special”, ndërsa vlerësimet do të prezantohen në edicionin e 28-të të Bursës Mesdhetare të Turizmit Arkeologjik (BMTA), që do të zhvillohet nga 29 tetori deri më 1 nëntor 2026 në Paestum të Italisë.

Zbulimi në Strikçan është përfshirë në listën e pesë zbulimeve arkeologjike më të rëndësishme të vitit në nivel global, së bashku me kërkime të zhvilluara në site të njohura si Pompeii, Vulci, Egjipt dhe Turqi.

Monumenti konsiderohet me rëndësi të veçantë për studimet arkeologjike, historike dhe epigrafike, pasi ofron të dhëna të reja për një zonë që më parë nuk ishte studiuar në mënyrë të thelluar.

Sipas studiuesve, zbulimi ndihmon në kuptimin e dinamikave sociale, organizimit të elitave lokale dhe zhvillimit të arkitekturës funerare gjatë periudhës së vonë romake në Luginën e Bulqizës dhe zonat përreth.

Gjithashtu, gjetjet mund të kontribuojnë në studimin e rrjeteve të komunikimit dhe transformimeve sociale brenda provincave gjatë kësaj periudhe historike.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë event ndërkombëtar përmes këtij zbulimi përbën një mundësi për promovimin e trashëgimisë arkeologjike dhe kulturore të vendit në arenën ndërkombëtare.

Zbulimi është rezultat i punës kërkimore të zhvilluar në kuadër të projektit “Kërkime Arkeologjike në Luginën e Bulqizës”, të realizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Instituti i Arkeologjisë.

Institucionet kanë vlerësuar punën e drejtuesve të projektit, ekipit të gërmimit dhe bashkëpunëtorëve të përfshirë në zbulimin, dokumentimin dhe promovimin e monumentit.