AKTUALITET, 11 September 2026, 22:18

Dy TEC-et lundruese do të licencohen, Karakaçi: Vendimmarrja u shty për plotësimin e dokumenteve

Dy TEC-et lundruese do të licencohen, ndërsa vendimmarrja për licencimin e tyre është shtyrë për shkak të nevojës për plotësimin e disa dokumenteve përkatëse, deklaroi ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.

Në një komunikim me gazetarët pas mbledhjes së qeverisë, Karakaçi u pyet për procesin e licencimit të dy TEC-eve lundruese dhe kontratën e re prej 20 milionë eurosh për mirëmbajtjen e tyre gjatë dy viteve të ardhshme.

“ERE nuk ka refuzuar licencimin e tyre. Ka shtyrë në kohë vendimmarrjen për licencimin për plotësimin e disa dokumenteve përkatëse, një prej të cilave lidhet tashmë edhe me marrjen në pronësi të këtyre aseteve, që deri tani ishin me qira, sepse licensa ishte me një afat dyvjeçar, ashtu siç ishte edhe qiraja përkatëse”, tha Karakaçi.

Sipas ministrit, pas marrjes në pronësi të këtyre veprave energjetike nga KESH, do të kryhet rilicencimi i tyre me qëllim kalimin në një licencë afatgjatë.

Karakaçi theksoi se dy TEC-et lundruese janë aktualisht në funksion dhe kanë një kapacitet të instaluar prej rreth 100 megavatësh.

“Ato vepra energjetike janë në punë, janë 100 megavat kapacitet i instaluar dhe shërbejnë në mënyrë të plotë për disa arsye. Së pari, për rezervën terciare që i shërben OSHT-së kur kërkon energji shtesë, një element i rëndësishëm për sigurinë energjetike”, u shpreh ministri.

Ai shtoi se këto asete do të vijojnë të jenë pjesë e sistemit energjetik, ndërsa procesi i rilicencimit synon të mundësojë funksionimin e tyre me një licencë afatgjatë.