TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se synohet formalizimi përmes një ligji të ri i sistemit “Pasqyra”, ndërsa “Shkalla e meritës” do të jetë një tjetër komponent i këtij sistemi, i lidhur me përdorimin e teknologjisë në rekrutimin, konkurset, provimet e standardizuara dhe vlerësimin në administratën publike.
“Ne jemi në qeveri, faktikisht, që në periudhën e fundit kemi bërë shumë, kemi bërë shumë gjëra, por kemi dëgjuar pak”, u shpreh Rama, duke shtuar se BESA synon ta çojë këtë marrëdhënie në një stad të ri.
Rama bëri të ditur se këto nisma do të lidhen me “Pasqyrën”, një sistem përmes të cilit ankesat, kërkesat dhe problematikat e qytetarëve synohet të shndërrohen në gjurmë të verifikueshme dhe të ndiqen në mënyrë të strukturuar.
Sipas Kryeministrit, qëllimi është që qytetari të mos mjaftohet vetëm me paraqitjen e një ankese, por të ketë mundësi të ndjekë edhe rrugëtimin e saj dhe të identifikohet përgjegjësia institucionale për trajtimin e saj.
“Është ideja që halli nuk mund të humbasë rrugës. Ky është ndryshimi”, deklaroi Rama.
Ai tha se përdorimi i inteligjencës artificiale do të mundësojë identifikimin e personit ose institucionit përgjegjës për një kërkesë të patrajtuar, duke e lidhur këtë proces me rritjen e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies në administratën publike.
Në këtë mënyrë, sipas Ramës, teknologjia synohet të përdoret jo vetëm për të administruar kërkesat e qytetarëve, por edhe për të krijuar një mekanizëm më të qartë gjurmueshmërie dhe përgjegjësie për mënyrën se si ato trajtohen.