AKTUALITET, 11 September 2026, 18:16

Zhvatnin qytetarët e BE përmes “call center”/ GJKKO cakton masat e sigurisë për tetë të arrestuarit

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masat e sigurisë për tetë personat e arrestuar, të cilët dyshohet se përmes call centerave kanë zhvatur qytetarë të ndryshëm nga vendet e Bashkimit Evropian.

Konkretisht bëhet fjalë për Robert Gjura, Gerti Shega, Erjon Palaj , të cilët u lanë në masën e sigurisë “arrest në burg”, Eleni Jorgji , Klaudia Balla dhe Ilir Golemi me masën “arrest në shtëpi” dhe Aurel Gjonpjetri dhe Dhimitër Lipe në “detyrim paraqitje”.

Shtetasit europianë sipas SPAK ftoheshin nga agjentët e call centerit për të investuar në bursa ndërkombëtare përmes depozitimit të parave në platforma mashtruese. Depozitimet e parave bëheshin në  llogari bankare në vende të ndryshme europiane dhe më pas zhdukeshin përmes transfertave të njëpasnjëshme ose konvertimit në kriptovalutë.

Pjestarët e këtij grupi akuzohen për mashtrim kompjuetrik me pasoja të rënda në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Më herët në kuadër të këtij hetimi janë arrestuar edhe persona të tjerë.