TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar takime me strukturat vendore të Policisë në Tiranë, Korçë dhe Dibër, duke përcaktuar disa prej prioriteteve për periudhën në vijim.
Në qendër të udhëzimeve ka qenë lufta kundër kriminalitetit dhe forcimi i masave të sigurisë, ndërsa strukturave u është kërkuar të intensifikojnë veprimet për goditjen e grupeve kriminale, personave që mbajnë armë pa leje, shpërndarësve të lëndëve narkotike dhe individëve të shpallur në kërkim.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe nisjes së vitit të ri shkollor. Drejtuesve vendorë të Policisë u është kërkuar të monitorojnë nga afër zbatimin e masave të sigurisë pranë institucioneve arsimore dhe të garantojnë një mjedis të sigurt për nxënësit.
Kontrollet do të shtrihen si brenda, ashtu edhe përreth perimetrit të sigurisë së shkollave. Synimi është identifikimi dhe ndalimi i personave që mund të tentojnë të përfshijnë të miturit në veprimtari kriminale.
Në takime është kërkuar gjithashtu forcimi i bashkëpunimit të strukturave vendore dhe kufitare për parandalimin dhe goditjen e krimeve të rënda, trafikut të narkotikëve dhe veprimtarisë së grupeve kriminale.
Një tjetër pikë e rëndësishme ka qenë siguria rrugore. Drejtuesi i Policisë së Shtetit ka kërkuar një përdorim më efikas të teknologjisë dhe masa më të forta për parandalimin e aksidenteve.
Hita ka vendosur gjithashtu në fokus marrëdhënien e Policisë me qytetarët, duke kërkuar përmirësim të performancës dhe reagim më të shpejtë ndaj problematikave të raportuara. Sipas tij, rritja e besimit të publikut kërkon më shumë angazhim dhe zgjidhje konkrete të shqetësimeve që adresohen pranë strukturave policore.