AKTUALITET, 18 August 2026, 22:17

Vrasja e turistit portugez në Ksamil/ Bashkë me policin Matushaj në pranga edhe punonjësi i Burgut të Fierit dhe efektivi i Policisë Bashkiake Gjirokastër (Emrat)

Katër persona që shërbenin si punonjës sigurie në beach-barin “Principote” në Ksamil janë arrestuar në lidhje me ngjarjen tragjike ku mbeti i vrarë turisti 20-vjeçar portugez, Luis Miguel Varela Mendes.

Sipas Policisë, në momentin e ngjarjes në rolin e bodyguardëve kanë qenë Miosid Matushaj, punonjës policie në Gjirokastër, Luçiano Seferi, punonjës në burgun e Fierit, Romeo Shehu, punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër, si dhe Kristi Koshi.

Autoritetet bëjnë me dije se këta persona kishin për detyrë garantimin e sigurisë në ambientet e lokalit, por dyshohet se nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar ngjarjen.

Sipas Policisë, pas vrasjes ata gjithashtu nuk kanë njoftuar autoritetet për ngjarjen.

Për këtë arsye, katër personat janë arrestuar dhe do të hetohen për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.