AKTUALITET, 18 August 2026, 20:59

Vrasja e turistit portugez në Ksamil/ Zbardhen emrat e 11 të arrestuarve, mes tyre Sokrat Lipan dhe dy shtetas turq

Policia ka arrestuar 11 persona dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë në lidhje me vrasjen e turistit portugez në Ksamil, ngjarje e ndodhur mëngjesin e 18 gushtit në ambientet e lokalit “Principote”.

Sipas Policisë, viktima, 20-vjeçari portugez L. V., dyshohet se u godit disa herë me thikë gjatë një konflikti mes disa personave.

I dyshuari kryesor për vrasjen, 29-vjeçari Sokrat Lipan, alias Sokrat Vata, u kap në Levan të Fierit, teksa ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që po udhëtonte drejt Tiranës.

Në automjet ndodheshin edhe dy shtetas turq, 31-vjeçarja Ezgi Perlak dhe 38-vjeçari Nuh Mahmutoglu. Sipas hetimeve, ata kishin njohje me të dyshuarin dhe e kishin fshehur në automjet me qëllim që ta ndihmonin të largohej.

Në lidhje me ngjarjen, Policia ka arrestuar edhe disa persona të tjerë, mes tyre kamarierë dhe punonjës të sigurisë së lokalit.

Sipas hetimeve, disa prej tyre dyshohet se janë përfshirë në konfliktin që parapriu vrasjen, ndërsa të tjerë akuzohen se nuk kanë njoftuar autoritetet pas ngjarjes.

Policia ka shpallur në kërkim edhe dy persona, David Heurtevent, 29 vjeç, dhe Bekim Bulica, 36 vjeç.

Sipas hetimeve, David Heurtevent dyshohet se ka goditur me grushte viktimën gjatë konfliktit dhe akuzohet, së bashku me Sokrat Lipanin, për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Në momentin e ngjarjes, në lokal ndodheshin edhe katër persona me detyra sigurie, për të cilët Policia thotë se nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e konfliktit dhe, më pas, nuk kanë njoftuar autoritetet.

Të arrestuarit:

-Sokrat Lipan, alias Sokrat Vata

-Nuh Mahmutoglu

-Ezgi Perlak, të dy me shtetësi turke

-Serxhi Selimi

-Ervis Bunci

-Ildi Cekani

-Murat Zhabina

-Miosid Matushaj

-Luciano Seferi

-Romeo Shehu

-Kristi Koshi

Ndërkohë, janë shpallur në kërkim shtetasit David Heurtevent, 29 vjeç, dhe Bekim Bulica, 36 vjeç.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësisë së secilit prej personave të përfshirë.