AKTUALITET, 18 August 2026, 20:09

Emri/ U kap në flagrancë duke ndezur disa vatra zjarri, vihet në pranga 65-vjeçari në Mirditë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Piromani”, duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të një 65-vjeçari, i dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme.

Pas marrjes së informacionit në rrugë operative dhe ndjekjes në terren për tre ditë, policia arrestoi shtetasin Pashk Marku, 65 vjeç, banues në fshatin Gziq, Njësia Administrative Rrëshen, Bashkia Mirditë.

Marku u arrestua për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Në momentin e kapjes, 65-vjeçari sapo kishte ndezur tre vatra zjarri në fshatin Gziq. Si pasojë, nga zjarri u përfshi një sipërfaqe pyjore.

Vatrat e zjarrit u vunë menjëherë nën kontroll nga shërbimet zjarrfikëse, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas është autor i disa zjarrvënieve të tjera të ndodhura në territorin e Bashkisë Mirditë.

Specialistët e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Mirditë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për dokumentimin e plotë të rasteve të tjera të zjarrvënieve, për të cilat 65-vjeçari dyshohet si autor.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.