TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pas disa ditësh rritjeje, çmimi i naftës në tregun me pakicë në Shqipëri ka pësuar një ulje të ndjeshme mbrëmjen e sotme.
Sipas një vëzhgimi në treg, disa prej rrjeteve kryesore të tregtimit të karburanteve kanë ulur çmimin e naftës nga 214 lekë në 199 lekë për litër, duke e rikthyer për herë të parë pas disa javësh nën kufirin e 200 lekëve.
Kjo lëvizje vjen në një kohë kur tregjet ndërkombëtare kanë nisur të reflektojnë një rënie të çmimeve të naftës, pas rritjeve të forta të javëve të fundit, të cilat u reflektuan edhe në tregun shqiptar.
Zhvillimi rikthen në vëmendje edhe mënyrën e funksionimit të tregut gjatë periudhës mars-qershor të këtij viti, kur për shkak të luhatjeve të forta në bursat ndërkombëtare u aktivizua Bordi i Transparencës.
Gjatë asaj periudhe, çmimet maksimale të karburanteve përcaktoheshin nga Bordi dhe monitoroheshin në terren për zbatimin e tyre nga operatorët.
Ndryshe nga ajo periudhë, ulja e mbrëmjes së sotme nuk ka ardhur si rezultat i një vendimmarrjeje administrative, por është reflektuar drejtpërdrejt nga kompanitë e tregtimit në pikat e shitjes me pakicë, në përputhje me zhvillimet e fundit në tregjet ndërkombëtare.
Mbetet për t’u parë në ditët në vijim nëse qeveria do të marrë ndonjë vendim për rikthimin e funksionimit të Bordit të Transparencës.