TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar huanë prej 302 milionë dollarësh për Shqipërinë si një mbështetje të rëndësishme për rritjen e investimeve në mbrojtje, me synimin që shpenzimet të arrijnë në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.
Përmes një njoftimi të shpërndarë nga Ambasada amerikane në Tiranë, Departamenti amerikan i Shtetit bëri të ditur se financimi, në kuadër të programit Foreign Military Financing (FMF), do të ndihmojë në modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, duke mbështetur blerjen e pajisjeve dhe kapaciteteve kryesore me origjinë amerikane.
Sipas DASH-it, kjo mbështetje do të kontribuojë gjithashtu në forcimin e aftësisë së Evropës për të marrë një rol më të madh në mbrojtjen e saj.
Në deklaratë vlerësohet edhe bashkëpunimi i ngushtë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në politikën e jashtme.
“Si aleate e NATO-s, Shqipëria është përafruar ngushtë me Shtetet e Bashkuara në çështje të rëndësishme të politikës së jashtme, përfshirë edhe si anëtare themeluese e Bordit të Paqes të presidentit Donald Trump”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.
Edhe Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë e cilësoi marrëveshjen si një moment me rëndësi strategjike dhe një dëshmi të besimit që SHBA-ja vijon t’i japë Shqipërisë.