TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Dita e 66-të e protestës së zhvilluar para Kryeministrisë është mbyllur me thirrje për dorëheqjen e qeverisë dhe ndryshimin e klasës politike.
Pas përfundimit të fjalimeve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, protestuesit kanë nisur marshimin e tyre përgjatë disa akseve të kryeqytetit.
“Ju erdhi fundi”, “Rama jep dorëheqjen”, “Revolucion”, “Shqipëria e shqiptarëve”, “Rama në burg, Berisha në burg”, ishin disa nga thirrjet e dëgjuara gjatë tubimit.
Protesta e sotme vijoi me mesazhe dhe deklarata nga qytetarë dhe përfaqësues të saj, ndërsa pas përfundimit të fjalimeve pjesëmarrësit u zhvendosën në formë marshimi nëpër bulevard, duke shoqëruar lëvizjen me këngë, slogane, parulla dhe pankarta. Në tubim nuk munguan as flamujt dhe simbolet kombëtare.
Gjatë marshimit, protestuesit përsëritën edhe thirrjen “Nesër më shumë!”, duke paralajmëruar vijimin e tubimeve edhe në ditën pasuese.
Thirrje të tjera të dëgjuara gjatë protestës ishin “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Ndryshim sistemi, Avni Rustemi”.
Marshimi nisi nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe vijoi drejt zonës së “Shallvareve”, më pas në Bulevardin “Gjergj Fishta”, zonën e “Urës së Bllokut”, për të vazhduar në Bulevardin “Bajram Curri” dhe në brendësi të ish-Bllokut.
Protesta e sotme shënon ditën e 66-të të tubimeve të përditshme kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.