AKTUALITET, 4 August 2026, 21:18

14 vatra zjarri në 12 orët e fundit në Shqipëri, 5 mbeten aktive, vijojnë operacionet nga toka dhe ajri

Katërmbëdhjetë vatra zjarri janë raportuar gjatë 12 orëve të fundit në territorin e vendit, ndërsa pesë prej tyre vijojnë të jenë aktive.

Për menaxhimin e situatës dhe ndërhyrjen në terren janë angazhuar 19 automjete zjarrfikëse, 182 forca operacionale, tre helikopterë dhe një avion i Forcës Ajrore.

Në Dajt të Tiranës vijon puna për shuarjen e zjarrit, ndërsa në fshatin Riban të Mallakastrës flakët vijojnë me intensitet të ulët në brendësi të masivit pyjor.

Ndërhyrja e koordinuar nga toka dhe ajri ka larguar rrezikun për zonat e banuara. Gjatë operacionit janë evakuuar përkohësisht 15 familje, ndërsa në mbështetje të aksionit janë angazhuar një helikopter dhe një avion i Forcës Ajrore.

Në fshatin Shqiponjë të Prrenjasit, vatra e zjarrit është vendosur nën kontroll dhe vijon puna për shuarjen përfundimtare.

Nën kontroll janë edhe vatrat në Vërzhezhë të Skraparit dhe Krekëz të Himarës, ndërsa strukturat operacionale vijojnë monitorimin e situatës.

Në zonën Stegopull–Selckë, në territorin e bashkive Libohovë dhe Dropull, vijon puna për izolimin e zjarrit. Terreni malor dhe shkëmbor po vështirëson ndërhyrjen e forcave të angazhuara.

Nga vatrat e zjarrit janë prekur rreth 1.5 hektarë sipërfaqe me barishte, shkurre dhe bimësi pyjore, ndërsa sipërfaqja e dëmtuar nga vatrat aktive vijon të jetë në proces vlerësimi.