AKTUALITET, 4 August 2026, 20:47

Patrullime të përbashkëta Shqipëri–Itali në Durrës, Lamallari: Siguri më e madhe për turistët

Patrullimet e përbashkëta të Policisë së Shtetit me Policinë italiane në Durrës po vijojnë gjatë sezonit turistik, me fokus rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e paligjshmërive.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari bëri të ditur se prania e përbashkët e forcave të policisë synon të garantojë më shumë siguri për qytetarët dhe turistët që kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacion pushimesh, përfshirë turistët italianë.

Krahas masave për parandalimin e veprimtarive të paligjshme, policia po kryen kontrolle edhe për respektimin e niveleve të lejuara të zhurmave në bare, restorante dhe ambiente të tjera argëtimi.

Lamallari theksoi se respektimi i rregullave për sigurinë dhe qetësinë publike është pjesë e rëndësishme e zhvillimit të një turizmi të qëndrueshëm.

“Respekti për normat e përbashkëta, përfshi ato për sigurinë e turistëve apo qetësinë e tyre nga zhurmat përtej niveleve të lejuara, i shërben një turizmi të qëndrueshëm dhe që rritet nga viti në vit”, u shpreh ministri.