AKTUALITET, 4 August 2026, 20:17

Protesta e 66-të në Tiranë/ Qytetarët marshojnë drejt Kryeministrisë: Rama, jep dorëheqjen

Protesta e 66-të kundër qeverisë u zhvillua këtë të premte në Tiranë, ku qytetarë dhe aktivistë u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë.

Me pankarta dhe parulla në duar, protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar qeverinë për abuzime financiare, skandale me tenderët, si dhe për situatën e pagave, pensioneve, sistemit shëndetësor dhe probleme të tjera që, sipas tyre, prekin qytetarët.

Gjatë marshimit u dëgjuan thirrje si: “Rama, jep dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, “Shqipëria kërkon revolucion”, “Ndryshim sistemi”, si edhe slogane të tjera kundër qeverisë.

Protesta vijon të organizohet çdo ditë, me organizatorët që deklarojnë se do të vazhdojnë mobilizimin deri në plotësimin e kërkesave të tyre.