SPORT, 18 August 2026, 22:25

“U ktheva në shtëpi”/ Reali prezanton Mourinhon, “Special One” rikthehet pas 13 vitesh

Reali i Madridit ka prezantuar zyrtarisht José Mourinhon si trajnerin e ri të skuadrës, në një event privat të zhvilluar në qendrën sportive të klubit në Valdebebas, me dyer të mbyllura për median.

Në sallën e mbledhjeve të “Los Blancos”, presidenti Florentino Pérez i uroi mirëseardhjen trajnerit portugez, i cili ka firmosur një kontratë që do ta lidhë me Realin e Madridit deri më 30 qershor 2029.

Në nder të rikthimit të tij, Mourinho mori një fanellë të personalizuar të Realit të Madridit, si dhe një riprodhim në miniaturë të stadiumit “Santiago Bernabéu”.

Për “Special One”, ky është një rikthim te klubi madrilen, të cilin e drejtoi edhe gjatë periudhës 2010-2013. Gjatë aventurës së tij të parë në Madrid, Mourinho fitoi një titull të La Ligës, një Kupë të Mbretit dhe një Superkupë të Spanjës.

Në fjalët e para pas rikthimit, trajneri portugez shprehu emocionet e tij dhe theksoi lidhjen e veçantë që ka me klubin.

“U ktheva në shtëpi, e konsideroj veten si një prej jush.”

Mourinho kujtoi edhe periudhën e parë në Madrid, duke theksuar se këtë herë rikthimi ka një dimension edhe më të madh emocional dhe personal.

“Herën e parë që erdha te Reali i Madridit, ishte kulmi i suksesit profesional. Tani është edhe aspekti emotiv dhe personal. Besoj se këtë herë është shumë më speciale se më parë.”

Trajneri portugez nënvizoi se për të rëndësi të veçantë ka fakti që tashmë është sërish pjesë e Realit të Madridit.

“E rëndësishme është se punoj për Realin e Madridit dhe dëshiroja që të jetë kështu për të gjithë në Valdebebas.”

Në fund, Mourinho iu drejtua tifozëve të Realit, duke theksuar besnikërinë e tij ndaj klubit edhe pas largimit të parë.

“Ajo që mund t’ju them tifozëve është se jam një nga ju, gjithnjë kam qenë, që nga momenti kur u largova.”

Mourinho kishte nisur tashmë punën me skuadrën gjatë përgatitjeve të verës, ndërsa ndeshja e parë zyrtare e tij në këtë rikthim do të jetë përballja me Espanyolin, në kuadër të sezonit të ri të La Ligës.

José Mourinho rikthehet kështu në Madrid 13 vite pas përfundimit të aventurës së tij të parë, me misionin për të rikthyer Realin te trofetë dhe në majën e futbollit spanjoll e evropian.