SPORT, 18 August 2026, 18:52

UEFA vlerëson arbitrat shqiptarë para startit të sezonit të ri, u beson 2 duele të rëndësishme në Europë

Një tjetër përfaqësim i rëndësishëm ndërkombëtar për arbitrat shqiptarë. UEFA ka caktuar trupa shqiptare arbitrimi për të drejtuar dy sfida të vlefshme për fazën play-off të UEFA Conference League.

Ditën e enjte në orën 21:00, dueli mes Tuentes dhe Karabakut i është besuar Juxhin Xhajës, i cili do të ketë në krah si arbitra asistentë Rejdi Avdon dhe Mario Shazivarin. Roli i arbitrit të katërt i është besuar Emanuela Rustës, ndërsa në sistemin VAR do të jetë italiani Gianluca Aureliano, me Albert Dodën si AVAR.

Në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë, një tjetër trupë shqiptare do të jetë në detyrë në Islandë, për sfidën Víkingur R. – Borac, që do të luhet  në Reykjavik.

Takimi do të drejtohet nga arbitri shqiptar Enea Jorgji, me Denis Rexhën dhe Ridiger Çokajn si arbitra asistentë. Arbitër i katërt do të jetë Florian Lata, ndërsa në sistemin VAR do të jetë holandezi Jeroen Manschot, si dhe Olsion Yzeirajn në rolin e AVAR.

Caktimi i dy trupave shqiptare në sfida të fazës play-off të UEFA Conference League përbën një tjetër tregues të vlerësimit dhe besimit që UEFA vijon t’u japë arbitrave shqiptarë në arenën ndërkombëtare.