BOTA, 30 September 2026, 22:25

“Ti je një hero” - Netanyahu takon pasagjerin që ndërhyri dhe ndaloi sulmuesin në fluturimin FlyDubai

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u takua me pasagjerin Yaniv Hayoun, i cili ndërhyri gjatë incidentit në bordin e fluturimit FlyDubai dhe ndaloi sulmuesin, pas mbërritjes së tij në aeroportin Ben Gurion në Tel Aviv.

“Ti je një hero”, i tha Netanyahu pasagjerit, i cili më pas përshkroi përpjekjen e tij për të hyrë në kabinën e pilotëve.

Hayoun tha se piloti që ishte goditur me thikë ishte mbështetur në derë, gjë që e bëri të vështirë hapjen e saj në fillim. Kur hyri në kabinë, ai tha se e pa sulmuesin në panelin midis dy sediljeve.

“Nuk kishte pilotë në vende. Njëri ishte në dysheme, tjetri ishte në panelin e kontrollit”, tha Hayoun, duke shtuar se dukej sikur po përpiqej ta çaktivizonte aeroplanin.

“Thirra një grup izraelitësh që ishin në bord dhe dy djem të tjerë iu afruan. E neutralizuam. Kapa kontrollet dhe fillova të tërheq dorezat”, shtoi ai.

Kur u pyet se si e dinte se duhej të tërhiqte dorezat për të ndihmuar në rifitimin e kontrollit të avionit, ai tha se kishte mësuar nga një serial televiziv.

“Unë shikoj Mayday (Air Disaster)”, tha ai, duke iu referuar një dokumentari televiziv kanadez që shqyrton rrëzimet e aeroplanëve.

“Pastaj piloti më tha se do të merrte përsipër drejtimin që andej”, tha ai.

Në të njëjtën kohë, Benjamin Netanyahu e përshkroi pilotin e FlyDubai të plagosur në sulm si një “hero të vërtetë” për rezistencën e tij ndaj sulmuesit, duke thënë se ai shpëtoi 174 personat në bord të avionit.

“Pavarësisht se u godit me thikë dhe u plagos rëndë, ai luftoi, rezistoi, hapi derën e kabinës së pilotit dhe i lejoi pasagjerët dhe ekuipazhin ta mposhtnin sulmuesin – duke parandaluar një katastrofë në ajër”, tha Netanyahu.