TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Bolzanos në Itali, ku një vajzë vetëm 5 vjeçe ka humbur jetën pasi u përplas nga një furgon në qendër të qytetit.
Aksidenti tragjik ndodhi mëngjesin e së martës, 29 shtator, rreth orës 10:20, në Via Garibaldi, përpara njërës prej hyrjeve të qendrës tregtare WaltherPark dhe në afërsi të stacionit të trenit.
Sipas informacioneve paraprake, e mitura ndodhej së bashku me nënën e saj pranë një stacioni autobusi. Nëna po përpiqej të hipte në autobus, ndërsa në një moment vajza është larguar për pak çaste nga kontrolli i saj.
Në atë çast, 5-vjeçarja është përplasur nga një furgon që po kryente një manovër në zonë. Automjeti dyshohet se po lëvizte në marshin e pasëm.
Përplasja ishte e rëndë. Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe kryen përpjekje për reanimimin e vajzës, përpara se ajo të transportohej me urgjencë në spitalin San Maurizio të Bolzanos.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, plagët e marra rezultuan fatale dhe 5-vjeçarja ndërroi jetë në spital.
Në vendngjarje mbërritën ekipet mjekësore, zjarrfikësit dhe forcat e rendit, ndërsa zona u rrethua për t’i hapur rrugë hetimeve.
Policia lokale ka nisur hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e aksidentit dhe për të rindërtuar me saktësi dinamikën e përplasjes. Hetuesit po verifikojnë lëvizjet e fëmijës dhe të furgonit në momentet para tragjedisë.