BOTA, 30 September 2026, 14:53

Tennessee do të ekzekutojë një grua për herë të parë në 200 vjet

Një grua pritet të ekzekutohet në Tennessee për herë të parë në më shumë se 200 vjet.

Christa Pike u bë një nga gratë më të reja të dënuara me vdekje në SHBA kur, në moshën 18-vjeçare, ajo dhe i dashuri i saj i asaj kohe torturuan dhe vranë një shoqe klase në vitin 1995.

Pike, tani 50 vjeçe, pritet të ekzekutohet të mërkurën në orën 10:00 me orën lokale, sipas raportimeve; ky do të jetë ekzekutimi i parë i një gruaje në këtë shtet jugor që nga viti 1820, siç bëhet e ditur nga Qendra e Informacionit për Dënimin me Vdekje (Death Penalty Information Center).

Pike dhe i dashuri i saj i asaj kohe, Tadaryl Shipp – i cili ishte 17 vjeç në atë kohë – u shpallën fajtorë për vrasjen e 19-vjeçares Colleen Slemmer, shoqes së tyre të klasës në qendrën "Knoxville Job Corps".

Shipp u dënua me burgim të përjetshëm me mundësi lirimi me kusht.

Rasti tërhoqi vëmendje të gjerë për shkak të brutalitetit të vrasjes, moshës së personave të përfshirë dhe faktit se viktima u gjet me një simbol satanik të gdhendur në trup.

Prokurorët deklaruan se Pike dyshonte se Slemmer ishte një rivale në dashuri dhe e çoi atë me mashtrim në një zonë të izoluar, ku ajo dhe i dashuri i saj torturuan dhe vranë adoleshenten.

Pike nuk e mohon fajësinë e saj, por avokatët dhe mbështetësit e saj argumentojnë se dënimi me vdekje nuk është ndëshkimi i duhur për një krim të kryer në atë moshë nga dikush që, sipas tyre, vuante nga një sëmundje mendore e patrajtuar pas një fëmijërie të mbushur me abuzime.

Guvernatori i Tennessee-t, Bill Lee, deklaroi të hënën se nuk do të jepte falje.

Para se të merrte vesh se guvernatori nuk do të ndërhynte në çështjen e saj, Pike shkroi në një letër të ndarë me NBC News, rrjetin partner të Sky-t: "Pavarësisht nëse më jepet falja apo jo, unë jam në paqe.

"Nuk kam frikë të vdes... thjesht ndihem në ankth për vetë procesin".

Avokatët e Pike i kërkuan Gjykatës Supreme të ndalonte ekzekutimin, por kërkesa raportohet se u refuzua dhe tani ekzekutimi pritet të kryhet të mërkurën.

Stephen Ferrell, avokati ndihmës federal që përfaqëson Pike-un, deklaroi se ajo ishte abuzuar seksualisht që në fëmijërinë e hershme dhe se ishte përdhunuar në moshën 11 dhe 17-vjeçare.

Ferrell tha se, gjatë fazës së përcaktimit të dënimit në gjyq, avokatët e Pike nuk i paraqitën jurisë informacione thelbësore rreth së kaluarës së saj dhe as nuk argumentuan se mosha e saj duhej marrë parasysh.

Ai shtoi se sot dihet më shumë rreth zhvillimit të trurit tek adoleshentët dhe se dënimi me vdekje i Pike-ut përbën një rast të rrallë e të pazakontë.

Ai vuri në dukje gjithashtu se Shipp, të cilit iu refuzua lirimi me kusht vitin e kaluar, ishte dënuar me burgim të përjetshëm me mundësi lirimi me kusht për shkak të moshës së tij.