TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gjykata e Lartë vendosi mospranimin e rekursit dhe la në fuqi dënimin për dy mjekët, Elona Burba dhe Petrit Rexhepi, të cilët u cilësuan fajtorë për akuzën e “mjekimit të pakujdesshëm” në dëm të Dorjana Hakës, gruas së ish-portierit Alban Hoxha.
Elona Burba u dënua me 1 vit burgim, dënim i cili iu konvertua në dy vite shërbim prove. Gjithashtu, asaj iu hoq e drejta e ushtrimit të profesionit të mjekut për një periudhë prej dy vitesh.
Ndërsa Petrit Rexhepi u dënua me 6 muaj burgim, dënim që iu konvertua në shërbim prove për një periudhë prej 1 viti.
Mjekja Elona Burba iu drejtua me rekurs Gjykatës së Lartë, por kjo e fundit, pasi e shqyrtoi çështjen në tërësi, vendosi të mos e pranojë atë, pasi nuk konstatoi asnjë shkelje. Sipas Gjykatës së Lartë, argumentet e dhëna nga gjykata e apelit janë të drejta dhe rrjedhojë e një analize të kujdesshme dhe në respekt të ligjit.
Sipas Gjykatës Supreme, Apeli ka konstatuar se mjekët kanë kryer mjekim të pakujdesshëm ndaj pacientes Dorjana Haka, pasi nuk i kanë kryer testet e nevojshme përpara se ajo t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale për të sjellë në jetë fëmijën e saj të parë.
“Përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të pacientes së ndjerë Dorjana Haka mund të ishte shmangur, nëse personeli mjekësor, përfshirë dy të pandehurit në këtë proces, do të kishin kryer Testet e koagulimit përpara realizimit të interventit kirurgjikal”, thekson gjykata e Lartë.
Në vendim, gjykata thekson gjithashtu se dy mjekët kishin në dispozicion kohën e nevojshme për të siguruar që pacientja t’i nënshtrohej të gjitha analizave dhe ekzaminimeve të parashikuara nga protokolli mjekësor.
“Të pandehurit, Anestezistja Elona Burba dhe Kirurgu Obstetër Petrit Rexhepi, ishin përpara një operacioni të planifikuar, pra ata kishin në dispozicion gjithë kohën e nevojshme që të siguroheshin se pacientes Dorjana Haka iu kryen të gjitha analizat dhe ekzaminimet mjekësore të parashikuara nga protokolli mjekësor në fuqi”, theksohet në vendim.
Më tej, Gjykata Supreme argumenton se “moskryerja e Testit të koagulimit tek pacientja e ndjerë Dorjana Haka, përpara ndërhyrjes së interventit Kirurgjikal përbën neglizhencë mjekësore të pajustifikueshme.”.
Në vendim thuhet gjithashtu se, ndryshe nga sa pretendohet nga të pandehurit, nuk rezulton të jetë zbatuar protokolli mjekësor për pacienten.
“Po ashtu, nuk qëndron pretendimi se ndodhemi përballë komplikacioneve objektivisht të pashmangshme sipas shkencës mjekësore, pasi protokolli mjekësor parashikonte kryerjen e testit të koagulimit, me qëllim shmangin e një komplikacioni të tillë të mundshëm”, theksohet në vendin.
Dorjana Haka solli në jetë fëmijën e saj të parë, një djalë, më 4 nëntor 2014. Tri ditë më vonë, ajo pësoi komplikacione dhe u transferua nga njëri spital në tjetrin.
Dorjana Haka ndërroi jetë ditën e 16 të shtrimit në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.
Denoncimi për mjekim të pakujdesshëm u bë nga babai i të ndjerës. Familja e Dorjana Hakës prej vitesh ka qëndruar në dyert e gjykatave, me shpresën për të gjetur drejtësi për humbjen e jetës së të afërmes së tyre.