SPORT, 12 Dhjetor 2021, 23:24

Fitore dhe spektakël ndaj Kaljarit, Interi merr kreun e Serisë A

Fitore dhe spektakël ndaj Kaljarit, Interi merr kreun e Serisë A

Interi është në krye të Serie A. Zikaltrit nuk e shpërdorojnë rastin fituan pastër ndaj Kaljarit që e mposhtën me rezultatin 4-0. Kështu, Interi ngjitet në kuotën e 40 pikëve, një më shumë se Milani dhe merr kreun e Serie A në javën e 17-të.

Pjesa e parë u dominua totalisht nga zikaltrit që patën disa raste të pastra shënimi. Fillimisht Barella dhe më pas Skriniar provuan të thyenin mbrojtjen e Kaljarit, por pa sukses.

Megjithatë, rezultatin e zhbllokoi Lautaro Martinez pasi gjeti hapësirë në zonë për të goditur me kokë topin që erdhi nga krosimi i Calhanoglu. Argjentinasi e çoi topin në rrjetë duke çuar edhe rezultatin në 1-0.

Më pas, ishte po argjentinasi që u bë protagonist i ndeshjes, këtë herë negativisht. Ai humbi një 11-metërsh të fituar nga Dumfries. Cragno kuptoi krahun dhe priti topin, që shkoi në këmbët e Calhanoglu, por pa u shfrytëzuar si duhet.

Ndërkohë, në pjesën e dytë, Interi e nisi përsëri me të njëjtin rritëm. Ata gjetën një gol të shpejtë me anë të Alexis Sanchez që shënoi një gol mjaft të bukur, ndërsa perlën e mbrëmjes e ruajti turku Hakan Calhanoglu. Ai shënoi një super gol nga distanca duke e ndalur topin në trekëndëshin e portës së Cragno.

Pokerin e plotësoi ai që edhe e zhbllokoi takimin, Lautaro Martinez. Argjentinasi ndali një pasim të mirë në zonë të Barellas dhe i vetëm përballë portierit e ndali topin në rrjetën kundërshtare.